Aktualitet

Ish-presidentja mban peng karrigen tek Urdhri i Psikologut, drejtuesja e zgjedhur: Do ndërmarrim kallëzim penal

Laboviti deklaroi se kishte shkuar për të marrë detyrën që i takon si fituese e zgjedhjeve të 5 qershorit, por procesi i tranzicionit nuk u realizua.

9 Qershor 2025, 13:46 Nga M.B
Ish-presidentja mban peng karrigen tek Urdhri i Psikologut, drejtuesja e
Brunilda Laboviti

TIRANA- Presidentja e re e zgjedhur e Urdhrit të Psikologut Brunilda Laboviti foli para mediave lidhur me përplasjen në këtë institucion ku ish-presidentja Valbona Treska refuzon të lirojë zyrën. Laboviti deklaroi se kishte shkuar për të marrë detyrën që i takon si fituese e zgjedhjeve të 5 qershorit, por procesi i tranzicionit nuk u realizua.

Ajo sqaroi se zgjedhjet e mbajtura më 5 qershor e kanë vulosur qartë rezultatin dhe ajo është fituesja legjitime. Sipas saj, situata është tashmë në dijeni të Policisë së Shtetit dhe do të ndërmerret një kallëzim penal për moszbatimin e ligjit. Gjithashtu Laboviti shprehu keqardhjen që tranzicioni nuk u zhvillua në mënyrë të qetë dhe institucionale.

Fjala e Brunilda Labovitit para mediave: 

Falënderoj mediat për prezencën. Erdha vetëm në fakt për të marrë detyrën, ashtu si na takon, 2 profesionistëve, por në fakt nuk ndodhi kështu. Ajo që nuk e kisha parashikuar të ndodhte ishte fakti i moskëshimit të detyrës. Në fakt zgjedhjet e 5 qershorit e kanë vulosur këtë fakt, fituese në këtë garë jam unë, si presidente e urdhrit të psikologut, mjafton që të transferohet detyra, dhe psikologët të gjenin pak paqe.

Nuk ndodhi kështu, është informuar media, është filluar me policinë e shtetit, dhe tashmë do të bëhet një kallëzim penal drejtuar policisë së shtetit nga personi im. Unë doja shumë që ky tranzicion të vinte butë për të gjithë psikologët dhe doja realisht të ishim në gjendje të mirë.

Megjithatë nuk ndodhi, skenarët nga ana ime nuk mund të parashikohen por është e gjitha një lëvizje me procedurë ligjore që është e parregullt, patjetër që unë jam konsultuar edhe ligjërisht dhe të gjithë ekspertët ligjorë më komunikojnë që sot duhet transferuar detyra.

Përplasja në Institucionin Urdhëri i Psikologut

Institucioni i Urdhrit të Psikologut prej rreth një viti vijon të jetë në situatë të tensionur, ku “lufta” bëhet për të marrë kreun. Pak ditë më parë u mbajtën edhe zgjedhjet, po ashtu mes tensionit, ku nuk munguan akuzat për përjashtime të paligjshme të kandidaturave nga gara. Dy kandidatet zyrtare në garë ishin Brunilda Laboviti dhe Elona Mustafaraj, ku zgjedhjet u fituan nga e pare me 238 vota të anëtarësisë nga 451 gjithsej. Mustafaraj mori vetëm 140 vota, ndërsa 73 vota rezultuan të pavlefshme. Pas fitores së zgjedhjeve, Brunilda Laboviti ka shkuar këtë të hënë për të marrë detyrën, por zyra nuk i është liruar nga Valbona Treska, e cila qëndron në krye të Urdhrit të Psikologut. Treska nuk ka pranuar që të lirojë zyrën, pasi pretendon se duhet të presë ankimin për procesin e zgjedhjeve./Dosja.al

brunilda labociti valbona treska

Sondazh

Poll