Bota

Rusia e shpall Amnesty International-in “organizatë të padëshirueshme”

Vendimi i autoriteteve ruse të hënën nënkupton se Amnesty International është e jashtëligjshme në Rusi dhe se bashkëpunimi me të është i dënueshëm sipas ligjit rus.

19 Maj 2025, 13:20 Nga r.ll
Rusia e shpall Amnesty International-in “organizatë të
foto ilustruese

MOSKË- Rusia e ka shpallur “organizatë të padëshirueshme” grupit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, Amnesty International. Vendimi i autoriteteve ruse të hënën nënkupton se Amnesty International është e jashtëligjshme në Rusi dhe se bashkëpunimi me të është i dënueshëm sipas ligjit rus.

Prokurori i përgjithshëm i Rusisë tha në një komunikatë të hënën se ky veprim u mor sepse Amnesty International është "qendra e përgatitjes së projekteve rusofobike në botë".

Amnesty International nuk e ka komentuar lajmin ende. Kjo organizatë e ka fituar Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1977 për "mbrojtjen e dinjitetit njerëzor kundër torturës" dhe Çmimin e Kombeve të Bashkuara në Fushën e të Drejtave të Njeriut në vitin 1978.

Rusia pretendon se organizatat në listën e saj paraqesin kërcënim për sigurinë kombëtare të vendit. Megjithatë, ekspertët thonë se kjo është thjesht një përpjekje nga autoritetet ruse për ta heshtur çdo zë që nuk përputhet me pikëpamjet e Kremlinit.

Dhjetëra media, organizata që merren me veprimtari politike, kulturore dhe arsimore, që mbështesin institucionet demokratike, si dhe organizata fetare, janë futur në këtë listë vitet e fundit. Në janar 2024, edhe Radio Evropa e Lirë u përfshi në këtë listë.

Qytetarët rusë përballen me burgim deri në pesë vjet, nëse bashkëpunojnë me organizata të "padëshiruara" ose ndihmojnë në financimin e tyre brenda territorit të Rusisë./REL

rusi amnesty international

Sondazh

Poll