Aktualitet

Zbulimi i zyrës së patronazhistëve në Tiranë/ Policia: Janë marrë kallëzime nga të dyja palët, vijojnë hetimet për ngjarjen

Nga kontrollet në prani të përfaqësuesve të të dyja subjekteve politike, njoftohet se në atë ambient nuk u gjetën materiale kompromentuese apo të kundërligjshem.

11 Maj 2025, 23:31 Nga r.ll
Zbulimi i zyrës së patronazhistëve në Tiranë/ Policia:
pamje nga zyra

TIRANË- Policia ka reaguar lidhur me incidentin e sotëm në rrugën Marko Boçari, ku eksponentë të Partisë Demokratike denoncuan se kishin zbuluar një zyrë patronazhimi. Në njoftimin e mëposhtëm, thuhet se pas denoncimit nga Belind Këlliçi, shërbimet e policisë shkuan në vendin e pretenduar si zyrë elektorale, dhe janë ushtruar kontrolle. 

Nga kontrollet në prani të përfaqësuesve të të dyja subjekteve politike, njoftohet se në atë ambient nuk u gjetën materiale kompromentuese apo të kundërligjshem. Lidhur me ngjarjen, policia njofton se janë marrë kallëzime nga Këlliçi dhe deputeti i PS-së, Erion Braçe, kundrejt njëri-tjetrit. Gjithashtu bëhet me dije se hetimet mbi ngjarjen vijojnë dhe s grupi hetimor po administron pamjet filmike dhe çdo provë tjetër me qëllim dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. 

NJOFTIMI I POLICISË: 

DVP Tiranë/Informacion paraprak

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e prokurorit të gatshëm pranë SPAK, janë duke kryer të gjitha veprimet procedurale dhe hetimore, për dokumentimin e një rasti të pretenduar sot, më datë 11.05.2025, në një ambient në rrugën “Marko Boçari”, Tiranë, ku eshte pretenduar për veprimtari të paligjshme zgjedhore.

Rreth orës 17:50, pas një njoftimi të bërë nga Belind Këlliçi, përfaqësues i Partisë Demokratike, shërbimet e Policisë shkuan në vendin e pretenduar dhe konstatuan disa shtetas pranë dhe brenda nje ambienti privat, që sipas kallëzuesve funksiononte si zyrë elektorale, pa shenja identifikuese, për Partinë Socialiste.

Gjatë kontrollit të ushtruar në prani të përfaqësuesve të të dyja subjekteve politike, në atë ambient nuk u gjetën materiale kompromentuese apo të kundërligjshem. Personat e pranishëm u shoqëruan në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, ku janë marrë deklarime dhe kallëzime penale nga të dyja palët përfaqësuese të dy subjekteve politike. Përfaqësuesi i Partisë Socialiste, z. Erion Braçe, ka kallëzuar se përfaqësues të Partisë Demokratike kanë ushtruar forcë ndaj tij dhe personave të tjerë me të cilët ishte i shoqëruar.

Grupi hetimor po administron pamjet filmike dhe çdo provë tjetër me qëllim dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë.

Në përfundim të veprimeve procedurale, do të jepet një njoftim i plotë mbi rezultatet e hetimit.

policia belind kellici incidenti te marko bocari

Sondazh

Poll