Politike

Ngërçi në konstituimin e Kuvendit/ Abdixhiku: LDK ka nisur me përgatitjet për zgjedhjet lokale, nuk kemi kohë për të humbur

Ai njofton se sot ka thirrur në takim të gjithë kryetarët e degëve të LDK-së, për të nisur procesin konsultativ e përgatitor mbi Zgjedhjet Lokale 2025 që do të mbahen këtë vjeshtë.

8 Maj 2025, 11:31 Nga r.ll
Ngërçi në konstituimin e Kuvendit/ Abdixhiku: LDK ka nisur me
lumir abdixhiku

KOSOVË- Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku shprehet se ka nisur përgatitjet për zgjedhjet lokale 2025. Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku shprehet se nuk ka kohë për të humbur. Lidhur me ngërçin për konstituimin e Kuvendit, kreu i LDK-së thotë se e kanë dhënë një zgjidhje që është ende e pandryshuar. 

Ai njofton se sot ka thirrur në takim të gjithë kryetarët e degëve të LDK-së, për të nisur procesin konsultativ e përgatitor mbi Zgjedhjet Lokale 2025 që do të mbahen këtë vjeshtë.

POSTIMI I PLOTË: 

Kohë për të humbur më nuk kemi.

Zgjidhje dhamë; zgjidhja jonë aty mbetet - kurdo që janë të gatshëm të tjerët.

Deri atëherë, përtej gjithë bllokadës që na shërbehet pa vizion, përtej mbledhive repetitive 48 orëshe pa ndonjë qëllim, LDK do të merret me proceset e veta përpara, aty ku s’mund të na kurthojnë.

Do të merret me Zgjedhjet Lokale.

Prandaj, sot kam thirrur në takim të gjithë kryetarët e degëve të LDK-së, për të nisur procesin konsultativ e përgatitor mbi Zgjedhjet Lokale 2025 që do të mbahen këtë vjeshtë.

Si fituese e zgjedhjeve të fundit lokale, me 9 komuna në qeverisje dhe me 206 këshilltarë lokal, po himë në këtë proces me plot vullnet e me plot bindje. Po himë dhe me plot përgatitje. Plot 6 muaj kohë.

Prandaj, nga sot nisim konsultimet e brendshme për kandidatët për Kryetarë të Komunave e për këshilltarë lokal. Për nominimin e njerëzve me integritet e vullnet për të shërbyer në secilin qytet.

Të gjithë ata që duan të përfaqësojnë vizionin tonë politik, vlerat tona, programet tona; të gjithë ata që duan t’i përfaqësojnë qytetarët tanë - i ftoj të bëhen pjesë e këtij procesi.

LDK i ka dyertë e hapura për secilin.

LDK mbetet e juaja.

LDK mbetet dashni!

Konstituimi i parlamentit të ri të Kosovës ka dështuar dje për herë të 12-të. Seanca e radhës është caktuar të zhvillohet ditën e premte, më 9 maj. Raportohet se seanca do të mbahet në orën 10:00. Në sallën e Kuvendit ishin dje të pranishëm 113 deputetë. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari gjatë fjalës së tij propozoi për votim të fshehtë. Partitë opozitare kanë insistuar në qëndrimet e tyre që nuk e përkrahin votimin e fshehtë, pasi është në kundërshtim me rregulloren.

PDK-ja dhe LDK-ja edhe këtë herë nuk e kanë propozuar asnjë emër. Edhe Lista Serbe u është bashkuar partive të tjera duke mos propozuar asnjë emër së bashku me AAK-në. 56 vota ishin për votim të fshehtë, një kundër e asnjë abstenim. Procesi ka ngecur prej javësh pasi partia fituese, LVV, nuk po arrin t’i sigurojë votat e nevojshme për kandidaten e saj për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu. Ajo shihet nga disa parti parlamentare si "figurë përçarëse", por LVV ngul këmbë se ajo është kandidate e denjë për atë post.

lumir abdixhiku ldk zgjedhjet lokale ne kosove

Sondazh

Poll