Politike

Pas dy dështimesh/ Votohet raporti për verifikimin e mandateve, betohen deputetët e rinj të Kuvendit të Kosovës

 Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar për raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandatave dhe kuorumit. Raporti u miratua nga 119 deputetë, aq sa ishin të pranishëm në sallë.

19 Prill 2025, 14:59 Nga M.L
Pas dy dështimesh/ Votohet raporti për verifikimin e mandateve,
Foto ilustruese

KOSOVË- Për të tretën herë me radhë, deputetët e Kuvendit të Kosovës u mblodhën për të vazhduar seancën për konstituimin e përbërjes së nëntë nëntë parlamentare të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar për raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandatave dhe kuorumit. Raporti u miratua nga 119 deputetë, aq sa ishin të pranishëm në sallë.

Kjo u mundësua pasi partitë politike parlamentare ranë dakord për të votuar raportin e komisionit për mandate dhe kuorum.  Kryesuesi i Komisionit, Artan Abrashi paraqiti para deputetëve raportin për verifikimin e mandateve, bazuar në certifikimin e rezultateve nga KQZ-ja, përmban edhe listën e 120 deputetëve të rinj. Pas votimit unanim për raportin e mandatit të deputetëve, deputetët e zgjedhur kanë bërë betimin në Kuvendin e Kosovës. Ata u ngritën të gjithë në këmbë për të lexuar tekstin e betimit.

“Unë, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, betohem se me nder e me përkushtim do ta kryej detyrën time dhe do ta përfaqësoj me dinjitet popullin, do të punoj në interes të Kosovës dhe të gjithë shtetasve të saj, do të angazhohem për mbrojtjen dhe për respektimin e kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë, për mbrojtjen e sovranitetit, tërësisë territoriale dhe të integritetit institucional të Kosovës, për garantimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, në përputhje me ligjet e vendit. Betohem!”, shkruan në tekstin e Betimit.

kuvendi i kosoves

Sondazh

Poll