Politike

"Yllin e BE-së e kemi në dorë, të mos e lëshojmë”/ Rama në fushatë: Mandati i katërt, jo vetëm një fitore politike

Rama tha se zgjedhjet e këtij viti janë më shumë se politike – ato janë gjeopolitike dhe vendimtare për rrugën e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian

11 Prill 2025, 19:48 Nga A.Ll
"Yllin e BE-së e kemi në dorë, të mos e
Kryeministri Edi Rama

TIRANË - Kryeministri Edi Rama çeli fushatën elektorale të Partisë Socialiste për zgjedhjet vendore të 11 majit, me një mesazh që shkon përtej kutive të votimit: votoni për të ardhmen europiane të Shqipërisë.

Duke e nisur takimin me gratë dhe vajzat shqiptare, Rama tha se zgjedhjet e këtij viti janë më shumë se politike – ato janë gjeopolitike dhe vendimtare për rrugën e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

“Nuk është thjesht një fitore aritmetike, por një fitore gjeopolitike. Ky mandat i katërt nuk është thjesht për PS-në, por është për Shqipërinë dhe shqiptarët”, u shpreh Rama, duke theksuar se yllin e BE-së e kemi tashmë në dorë dhe është detyra e shqiptarëve të mos e lëshojnë.

Ai i bëri thirrje qytetarëve që të votojnë numrin 5, duke e konsideruar si një zgjedhje për pasaportën europiane që do të garantojë trajtim të barabartë për të gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë vendit.

Ironi për opozitën: “Kënetë madhështore…”
Rama nuk i kurseu ironitë ndaj kundërshtarëve politikë, duke kritikuar emrin dhe sloganet e Aleancës Madhështore, të cilën e quajti të pabesueshme:

“Si mund të marrë seriozisht një shqiptar normal një forcë që e quan veten ‘Aleanca Madhështore’ e pastaj promovon slogane si ‘Peqini madhështor’? Këto i prodhon vetëm një çmendinë. A kemi kaq shumë budallenj në këtë vend?”

Rama vuri theksin tek roli i grave dhe vajzave në politikë, duke u shprehur se ato janë thelbësore për ndërtimin e së ardhmes dhe për të garantuar vlerat që Shqipëria duhet të përfaqësojë në Evropë.

“Ky mandat i katërt duhet të jetë më i fortë se tre të parët. Yllin e BE-së nuk do ta kthejmë pas, por do e mbajmë fort dhe do e çojmë deri në fund,” përfundoi kryeministri, duke i bërë thirrje qytetarëve që ta konsiderojnë këtë proces si një mision kombëtar.

edi rama fushata

Sondazh

Poll