Politike

"Gratë në ballë të drejtimit"/ Rama: 4.963 organizata në Shqipëri drejtohen nga gra dhe vajza

Kryeministri çel fushatën me një mesazh të fuqishëm për fuqizimin e grave në politikë dhe administratë – PS vendos barazinë gjinore në qendër të axhendës

11 Prill 2025, 19:10 Nga A.Ll
"Gratë në ballë të drejtimit"/ Rama: 4.963
Kryeministri Edi Rama

TIRANË - Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur që fushata elektorale e Partisë Socialiste për zgjedhjet e 11 majit të nisë në mënyrë simbolike me një aktivitet kushtuar grave dhe vajzave shqiptare, duke e cilësuar kontributin e tyre si themelor në politikë, administratë dhe shoqëri.

Në fjalën e tij, Rama dha të dhëna konkrete mbi përfaqësimin gjinor në organizatat politike, duke theksuar se:

“Në 5242 organizata, janë 4963 gra dhe vajza që drejtojnë. Ne e nisëm këtë me politikën e bashkëdrejtimit, ku çdo organizatë ka një burrë dhe një grua në krye. Sot, ky sistem ka dhënë rezultate konkrete.”

Kryeministri vuri në dukje se vendosja e bashkëdrejtimit gjinor në strukturat organizative të PS-së ka pasur një ndikim real në balancimin e pushtetit brenda partisë dhe më gjerë në administratën publike. Ai pranoi se ka raste ku implementimi mund të ketë qenë fiktiv apo formal, por theksoi se në tërësi ky është një hap i rëndësishëm drejt emancipimit politik dhe social të grave shqiptare.

“E di që kjo nuk mjafton. Ka ende shumë punë për të bërë, por është një fillim i drejtë. Kjo do të ketë ndikim të jashtëzakonshëm për brezat që po vijnë,” – tha ai.

Partia Socialiste ka theksuar gjithnjë përkushtimin ndaj barazisë gjinore, por deklaratat e fundit të kryeministrit dhe fakti që fushata u çel me një aktivitet dedikuar grave, dërgojnë një sinjal të qartë për orientimin e kësaj force politike drejt një përfaqësimi më të ekuilibruar gjinor në të gjitha nivelet.

Rama kujtoi gjithashtu se është nën drejtimin e tij që Shqipëria ka pasur për herë të parë një qeveri me më shumë gra ministre sesa burra, si dhe një rritje të ndjeshme të grave në administratën shtetërore, përfshirë sistemin arsimor, shëndetësor dhe drejtues lokalë.

edi rama fushata

Sondazh

Poll