Sport

Një celular, një bast i paligjshëm! Parimi i ri ekonomiko-propagandistik i Rilindjes

16 Janar 2020, 16:42 Nga DOSJA
Një celular, një bast i paligjshëm! Parimi i ri

Mbyllja e basteve u shit si një arritje e jashtëzakonshme e qeverisë shqiptare, por po rezulton një farsë e turpshme, ashtu si shumë reforma (apo më saktë zbore mediatike) të propagandës socialiste.

Në rrugët e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë – pa ekzagjerime me shiringën e streseve të markës Rilindje – sheh plot lokale, të cilat duken sikur produkt kryesor kanë kafen, por në fakt me baste bluajnë mendjet dhe xhepat e shqiptarëve.

Bastet vlojnë nëpër qytete dhe fshatra. Nëse do të luash, mjafton të të japin një link dhe të regjistrohesh me të dhënat e tua. Nuk nevojitet as e-mail, as numër telefoni, asgjë. Thjesht shkruan një “username” dhe një “password” personal. Faqet e basteve kanë emra të çuditshëm dhe qesharakë. Janë të bërë shpejt e shpejt, zakonisht kopje të sajtit “bet365”, por me fjalë shqip.

Nëse më parë fitoje dhe kishe një lloj kontrate me pronarin e kompanisë së basteve, sepse skedina ishte e ligjshme dhe e tatueshme, tani thjesht sheh nga Zoti lart në qiell, sepse nuk ke asnjë garanci. Kompanitë janë të paligjshme dhe aktiviteti kryesisht zhvillohet nëpër lagje periferike. Mund të fitosh 100 milionë lekë të vjetra, por shteti nuk të mbron dot, nëse kompania nuk t’i jep paratë e fituara. Kompania as nuk paguan taksa, as nuk paguan kontribute. Ajo, në fakt, është edhe më fitimprurëse, sepse po luajnë vetëm klientët e fuqishëm dhe nuk ka më kosto.

Para se të mbylleshin bastet, Shqipëria llogaritej të kishte rreth 40 mijë të punësuar në atë industri. Pra, thuajse po aq sa Call Center-at.

Sot shteti nuk merr 45-50 mln eurot në vit taksa nga ish-kompanitë e basteve, populli vazhdon të luajë (sa herë të dojë dhe ku të dojë) dhe lokalet nuk kanë nevojë më për perde apo zona X, sepse kushdo mund të luajë me celular.

Kush është i fituari këtu? Nënat pastruese të ish-lokaleve të basteve janë pa punë. Djemtë operatorë në ato lokale janë pa punë. Edhe kamerierët. Gazetat sportive shkuan drejt mbylljes, ashtu si edhe disa programe televizive.

Thuhej se shqiptarët do të kishin më shumë para me mbylljen e basteve, por po rezulton e kundërta. Tani ata duhet të ruhen si kriminelë edhe kur po japin lekë. Imagjinoni ç’të bën shteti shqiptar, nëse ti do të bësh një gjë që të sjell lekë.

Sonte luhet ndeshja Parma-Roma. Shko te lokali poshtë lagjes dhe pyet “ku të vë bast”, po nuk ngritën duart nja pesë burra, si nxënësit më të zellshëm për të dalë në dërrasë të zezë në shkollë. Fatkeqësisht, në këto punë nuk ka nota, por vetëm pazare, derisa të krijohet monopoli i radhës. Ai i basteve.

M.P. / Dosja.al

Tirana është boshatisur për ditët e pushimit. Cilën nga ritet e shenjta po ndiqni:

View Results

sport sport baste shqiperi skedina baste shqiperi skedina

Sondazh

Poll