Politike

Gjykata Supreme rrëzoi ankesën për votat me postë/ LVV i drejtohet Kushtetueses: Të merren masa ndaj këtij vendimi absurd!

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar vazhdimisht anulimin e votave me postë që i ka fituar Lidhja Demokratike e Kosovës dhe rivotim, duke e akuzuar këtë parti për “manipulim”.

27 Mars 2025, 18:03 Nga B.Z
Gjykata Supreme rrëzoi ankesën për votat me postë/ LVV i
Foto ilustruese

KOSOVË - Lëvizja Vetëvendosje njoftoi këtë të enjte se i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese të vlerësojë kushtetutshmërinë e vendimit të Gjykatës Supreme, e cila një ditë më parë rrëzoi ankesën e kësaj partie në lidhje me votimin me postë.

Ajo tha se gjithashtu ka kërkuar nga Kushtetuesja të vendosë “masë të përkohshme ndaj një vendimi absurd dhe të ndikuar politikisht të Supremes”.

“Në këto rrethana vendimi në kohë sa më të hershme në lidhje me kërkesën për masë të përkohshme do të ishte mundësi e vetme e parandalimit të tjetërsimit dhe deformimit të vullnetit të shprehur të qytetarëve në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025”, thuhet në reagim.

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar vazhdimisht anulimin e votave me postë që i ka fituar Lidhja Demokratike e Kosovës dhe rivotim, duke e akuzuar këtë parti për “manipulim”.

Supremja rrëzoi të mërkurën si të pathemeltë ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj vendimit të PZAP-it, i cili nuk e kishte pranuar kërkesën e saj për anulimin e votave me postë dhe shkuarjen në rivotim me postë. LDK-ja i ka hedhur poshtë akuzat e LVV-së, duke thënë se kërkesa për anulimin e votave me postë po bëhet "vetëm pse nuk u pëlqen rezultati".

zgjedhjet parlamentare ne kosove lvv gjykate kushtetuese

Sondazh

Poll