Politike

Berisha: "Shqipëria Madhështore" do të jetë edhe vepër e diasporës, që do të jetë promotore këtij projekti nëpër botë

Lideri demokrat shtoi se edhe shqiptarët jashtë vendit do të kenë pas 11 majit, një qeveri e cila do të bëjë gjithçka për mbështetjen e tyre.

7 Mars 2025, 20:55 Nga r.ll
Berisha: "Shqipëria Madhështore" do të jetë edhe
sali berisha

TIRANË- Kryetari i PD-së, Sali Berisha në takimin e tij që ka zhvilluar sot me mësuesit në Kamëz tha se 11 maji do të ndajë historinë dhe epokën. Berisha në fjalën e tij tha se ky vit është viti i Diasporës shqiptare, e cila me votën e saj do të ndihmojë në përmbysjen e kësaj qeverie. Ai u shpreh më tej se diaspora dhe emigrantët do të jenë promotorët e projektit "Shqipëria Madhështore" nëpër botë. Lideri demokrat shtoi se edhe shqiptarët jashtë vendit do të kenë pas 11 majit, një qeveri e cila do të bëjë gjithçka për mbështetjen e tyre.

"Burime të tjera energjetike disponohen në këtë vend, ndaj dhe ekziston çdo potencial që ne këtë ëndërr, ëndërr dite. Ëndërra e ditës e njerëzve që e dashurojnë Shqipërinë, e njerëzve që i besojnë Shqipërisë, do ta bëjmë realitet shumë më shpejt nga çmendojnë të tjerët. Por përsëri kushti i kushteve është një sistem arsimor, i zhvilluar, cilësor në lartësinë e madhështisë së Shqipërisë. Të dashur miq! 11 maji ndan histori, ndan epokën.

Me 11 maj çdo shqiptare dhe shqiptar që ushqen ndjenjat më minimale të dashurisë ndaj këtij vendi, i jep me votën e tij ndëshkimin e merituar kësaj narkokrature, këtij regjimi dhe firmos për ‘Shqipërinë Madhështore’. Këtë vit, në Milano e kam shpallur dhe e shpall dhe këtu, viti i Diasporës shqiptare. Ne shqiptarët në kohëra të vështira kemi patur një shprehje; Mbahu nën mos ki frikë, se i ke djemtë në Amerikë. Në fakt, sot kjo shprehje është aktuale përsëri. Por sot nuk janë djemtë, por gjysma e kombit jashtë vendit. Është gjysma jonë në dhera të huaja.

Ju e keni parë, unë kam bërë një seri takimesh dhe në këto takime, ju them unë ju, kam gjetur një shpërthim entuziazmi, optimizmi dhe energjie që nuk e kam parë kurrë që nga vitet ’90, në kohën e përmbysjes së diktaturës komuniste.
Pra regjimi i Edi Ramës është i dënuar në mënyrë përfundimtare nga kombi shqiptar, kësaj here të themi më shumë se nga kushdo tjetër, nga gjysma e lirë e kombit që jeton në dhera të tjera.

Dhe unë jam sot këtu, para jush për tu zotuar, në emër tuaj dhe para jush, se ‘Shqipëria Madhështore’ do të jetë edhe vepër e tyre. Se mundi, djersa, investimet, dijet e tyre do të jenë promotor kryesor i projektit më të madh, më të bukur, që ka njohur Shqipëria ndonjëherë, projektit të ‘Shqipërisë Madhështore’ dhe se qeveria e ardhshme do të bëjë gjithçka që ata të rikthehen me investimet e tyre, me miqtë e tyre dhe të investojnë në Shqipëri, ëndërrën e tyre, ëndrrën shqiptare. Qeveria e ardhshme do të bëjë gjithçka për të mbrojtur gjuhën, për të mbajtur gjallë gjuhën dhe kulturën shqiptare, kudo që ndodhen, nga Afrika e Jugut në Polin e Veriut, nga Alaska në skajin tjetër të dheut. Shqiptarët do të kenë pas 11 majit, një qeveri e cila do të bëjë gjithçka për mbështetjen e tyre. Ndaj dhe ftoj, meqë jemi në ditën e mësuesit, të gjithë mësuesit dhe mësueset e Shqipërisë, të gjithë prindërit, ftoj të bashkohemi në këtë përpjekje në 11 maj të ndajmë epokën e narkodiktaturës dhe të rikthehemi në epokën e lirisë, dinjitetit, zhvillimit, të hymë, të ecim krenar drejt ‘Shqipërisë Madhështore’. Gëzuar dhe njëherë 7 Marsin, festën e mësuesit. Faleminderit!", tha Berisha. 

sali berisha

Sondazh

Poll