Aktualitet

Trafik droge në Danimarkë, GJKKO vendos konfiskimin e pasurive të Armando Doçajt, pjesë e grupit të Astrit Beqirajt

Në pasuritë e konfiskuara me vendim të gjykatës pas kërkesës së SPAK, përfshihen 4 llogari bankare me shumën totale 4 mijë euro, një apartament dhe një njësi shërbimi.

7 Mars 2025, 15:15 Nga r.ll
Trafik droge në Danimarkë, GJKKO vendos konfiskimin e pasurive të
foto ilustruese

TIRANË- Gjykata e Posaçme ka vendosur konfiskimin e pasurive të shtetasit Armando Doçaj, i cili akuzohet për trafikim të lëndëve narkotike në Danimarkë dhe pjesë e organizatës kriminale të Astrit Beqirajt. 

Në pasuritë e konfiskuara me vendim të gjykatës pas kërkesës së SPAK, përfshihen 4 llogari bankare me shumën totale 4 mijë euro, një apartament dhe një njësi shërbimi.

Gjyqtari Erjon Çela, pasi shqyrtoi kërkesat e palëve, vendosi që një prej këtyre pasurive të mos konfiskohej dhe bëhet fjalë për një apartament të porositur.

NJOFTIMI I GJKKO: 

1. Kërkuesi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 28.04.2023 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Konfiskim i pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme për të cilat Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr. 12, datë 04.05.2021 ka vendosur sekuestrimin e tyre, kundër shtetasit Armando Doçaj dhe personave të lidhur Pjetër Doçaj, Roberta Doçaj dhe Shkëlzen Doçaj.

2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, bazuar në nenin 112 të K.Pr.Penale dhe nenet 3, 7, 10, 21, 22, 24, 27 dhe 28/1 të Ligjit Nr. 10192 dt. 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, i ndryshuar, me vendimin Nr. 2, datë 07.03.2025 vendosi:

Pranimin e pjesshëm të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme si më poshtë:
Shuma monetare prej 1976 euro e ndodhur në llogarinë card krediti me Nr. **** në Bankën Credins, në emër të shtetasit Armando Pjetër Doçaj.

Shuma monetare prej 551 euro e ndodhur në llogarinë card krediti me Nr. **** në Bankën Credins, në emër të Roberta Mhill Doçaj.

Shuma monetare prej 1000 euro e ndodhur në llogarinë e kursimit me Nr. **** në Bankën Credins, në emër të shtetasit A.D.

Shuma monetare prej 456 euro e ndodhur në llogarinë (karte e parapaguar) me Nr. **** në emër të shtetasit K.D.

Pasuri e paluajtshme Nr. **** Z.K. **** pasuri e llojit njësi shërbimi, me sipërfaqe 134 m2, me adresë, ****

Apartament me sipërfaqe 122.58 m2, me adresë ****, përfituar sipas kontratës për kalim të drejtash pronësie dhe premtim shitje Nr. Rep./kol. **** datë **** me palë blerëse shtetasin Armando Pjetër Doçaj dhe palë shitëse shtetasit E.B dhe E.B. me çmim blerje në shumën 20.000 euro.

Heqjen e masës parandaluese me karakter pasuror atë të “sekuestrim i pasurisë” e caktuar me vendimin nr. 12, dt. 04.05.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës sëParë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizua dhe kthimin e pasurisë së mëposhtme personave që ju takon: Apartament me sipërfaqe 116.83 m2, përfituar sipas kontratës së sipërmarrjes Nr. Rep./kol. ****, datë **** lidhur midis palëve: shoqëria “XH&M” Shpk në cilësinë e investitorit dhe Pjetër Ndue Doçaj me cilësinë e porositësit, me çmim 46 732 euro.Urdhërohet sekretaria e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar që ti dërgojë një kopje të vendimit, Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si dhe Agjencisë për Administrimin e Paurive të Sekuetruara dhe të Konfiskuara pranë Ministrisë së Financave për ekzekutimin e tij.
Shpenzimet hetimore dhe ato procedurale gjyqësore i lihen në ngarkim shtetasit Armando Doçaj.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brënda 10 ditëve, duke filluar ky afat nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit të arsyetuar.
Tiranë, më datë 07.03.2025

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

armando docaj gjkko astrit beqiraj

Sondazh

Poll