Aktualitet

Avokati u vetëdorëzua sot në polici, ekzekutohet masa e sigurisë "arrest me burg" për Radovan Çelën

44-vjeçari dyshohet për kryerjen e veprave penale "Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

5 Mars 2025, 17:56 Nga r.ll
Avokati u vetëdorëzua sot në polici, ekzekutohet masa e
radovan çela

TIRANË- Policia e Tiranës ka reaguar pas vetëdorëzimit të avokatit Radovan Çela. Në njoftimin e policisë thuhet se u ekzekutua masa e sigurisë "arrest me burg" e caktuar nga Gjykata e Posaçme.

44-vjeçari dyshohet për kryerjen e veprave penale "Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

NJOFTIMI I POLICISË: 

DVP Tiranë

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare bënë ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë për shtetasin në kërkim R. Ç., 44 vjeç, banues në Tiranë.

Për këtë shtetas, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Materialet procedurale i kaluan SPAK-ut, për ndjekje të mëtejshme.

Vetëdorëzimin e avokatit Çela, Dosja.al e raportoi ekskluzivisht. Çela ishte i shpallur në kërkim në kuadër të dosjes "Zarka". Avokati gjithashtu është i dyshuar për korruptim të gjyqtarit ose prokurorit në 2 raste dhe ndikim i paligjshëm në 5 raste.

Çela ka shërbyer si përfaqësues ligjor i kushërinjve Alfred dhe Elvis Vladi, të arrestuar në vitin 2018 pas sekuestrimit të 3.4 milionë eurove në portin e Durrësit, si pjesë e të ashtuquajturës dosja ‘Toyota Yaris'. Po ashtu në dosjen ‘Toyota Yaris' Radovan Çela akuzohet për korrupsion aktiv dhe ushtrimi ndikimi të paligjshëm, ndërsa Astrit Vlasi është vënë nën akuzë për korrupsion aktiv.

Gjykata e Posaçme ka veçuar më 20 shkurt çështjen për ish-kryeprokurorin e Vlorës, Aurel Zarka nga të pandehurit e tjerë që ndodhen në kërkim, dhe pranoi kërkesën e SPAK për kalimin në gjykim të tij. Zarka është marrë i pandehur për korrupsion dhe ushtrim ndikimi të paligjshëm, ndërsa emri i tij doli pas zbërthimeve të aplikacionit Sky Ecc.

radovan çela policia e tiranes

Sondazh

Poll