Aktualitet

Hetimet e SPAK për grup kriminal, vëllezërve Çopja u sekuestrohet një tjetër vilë në Elbasan

Sipas përshktimit të SPAK, vila e vëllezërve Çopja ishte e përfshirë me palestër në katin përdhes, lulishte dhe verandë përpara, ndërkohë që ishte e lidhur me një banesë tjetër. 

28 Shkurt 2025, 13:20 Nga I.A
Hetimet e SPAK për grup kriminal, vëllezërve Çopja u
Hajdar Copja

ELBASAN- Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka sekuestruar një vilë në Elbasan që dyshohet se i përket vëllezërve Hajdar dhe Franc Çopja. Mësohet se vila dy katëshe sipër dhe me një kat nën tokë është sekuestruar në lagjen “5 Maji”. Sipas përshktimit të SPAK, vila e vëllezërve Çopja ishte e përfshirë me palestër në katin përdhes, lulishte dhe verandë përpara, ndërkohë që ishte e lidhur me një banesë tjetër. 

Njoftimi:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përmes njoftimeve të datave, 01.08.2024, 21.01.2025 dhe 20.02.2025 informoi mbi procedimin e një organizate kriminale kriminale me bazë në qytetin e Elbasanit, e cila drejtohej nga vëllezërit F. G. (ndryshe F. Ç.) dhe H.B. (ndryshe H. Ç.) si dhe sekuestrimet e pasurive të luajtshme dhe paluajtshme që dyshohet se janë produkt i veprës penale.

Prokuroria e Posaçme ka vijuar kryerjen e hetimeve për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive të luajtshme dhe te paluajtshme që dyshohet se kanë origjinë kriminale. Pas kryerjes së veprimeve të shumta hetimore është bërë e mundur evidentimi i një pasurie të paluajtshme me vlerë të konsiderueshme.

Më datë 23.02.2025, në zbatim të vendimit nr. 117, datë 15.02.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është vendosur sekuestro preventive ndaj pasurisë së paluajtshme në adresën; Lagjia “5 Maji”, Elbasan, e cila është njësi banimi në pronësi dhe përdorim të familjes së vëllezërve F.G. (alias F. Ç) dhe H.B. (alias H. Ç), këta të fundit persona nën hetim sipas procedimit penal nr.75, viti 2022, si të dyshuar për kryerjen e disa veprave penale kundër jetës dhe pronës, si dhe të pastrimit  të produkti të veprës penale dhe veprimtarisë kriminale, në kuadër të organizatës kriminale.

Njësia e banimit, objekt i sekuestrimit ishte një vilë private, me 2 (dy) kate banimi, një tarracë e hapur mbi katin e dytë të banimit, një kat nëntokë, i përshtatur për palestër dhe i pajisur me vegla palestre, një oborr dhe lulishte në pjesën e përparme të godinës së banimit, verandë dhe lulishte në pjesën e pasme të godinës së banimit, si dhe një garazh i hapur nëpërmjet të cilit kalohej në një ndërtesë 1-katëshe, e përshtatur dhe e mobiluar me pajisje zyre.

Kati i parë i banimit përbëhej nga një garazh i mbyllur, një dhomë pritjeje, një kuzhinë, si dhe një dhomë gjumi – ambiente plotësisht të mobiluara. Kati i dytë i banimit, përbëhej nga dy dhoma gjumi, secila me garderobë të veçuar dhe këto hapësira plotësisht të mobiluara.

Prokuroria e Posaçme sekuestroi 1 milion euro pasuri të vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja. SPAK me urdhër nga GJKKO sekuestroi llogari bankare, truall, ndërtesa, garazhe, duplekse dhe apartamente.  SPAK njoftoi se nga hetimet është zbuluar përdorimi i kriptovalutave nga ana organizatës kriminale, me qëllim realizimin e pagesave të ndryshme. Sipas organit të akuzës është ekzekutuar vendimi i gjykatës janë sekuestruar kriptovaluta me vlerë mbi 10 milionë dollarë. Po ashtu janë sekuestruar dhe pasuri të tjera të paluajtshme me vlerë 1 milion euro.

spak franc Çopja hajdar copja

Sondazh

Poll