Politike

Akuzat e SPAK/ Veliaj i qëndron sulmeve ndaj prokurorit Dado: Nga zelli i madh ka shkelur ligjin! Çështja konflikt i pastër interesi 

I pyetur se përse zgjodhi të përballet me Dadon në sallën e gjyqit për konfliktin e interesit, kryebashkiaku thotë se ishte pikërisht dita e gjyqit sipas tij dita e fillimit të hetimeve absurde.

27 Shkurt 2025, 21:01 Nga B.Z
Akuzat e SPAK/ Veliaj i qëndron sulmeve ndaj prokurorit Dado: Nga zelli i
Erion Veliaj

TIRANË - Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka mbajtur të njëjtin qëndrin ndaj prokurorit të çështjes së tij Olsi Dado, ku vijon të këmbëngulë se ky i fundit ka shkelur ligjin. 

Në një intervistë nga burgu për emisionin Top Story, Veliaj thotë se çështja ndaj tij është në konflikt të pastër interesi për shkak të lejes së ndërtimit. I pyetur se përse zgjodhi të përballet me Dadon në sallën e gjyqit për konfliktin e interesit, kryebashkiaku thotë se ishte pikërisht dita e gjyqit sipas tij dita e fillimit të hetimeve absurde.

Veliaj shton se prokurori Dado sipas tij ka shkelur çdo normëligjore, duke regjistruar hetimin dhe porositur arrestin e tij në të njëjtën ditë. Veliaj gjithashtu i qëndron deklaratave të tij të bëra edhe më herët se Prokurori Dado e ka ofenduar dhe ka përdorur fjalor jo të përshtatshme gjatë seancës gjyqësore.

Pyetje: Nëse prokurori Olsi Dado ishte në konflikt interesi për të të hetuar ty, pse zgjodhe derisa të përballeshit në sallën e gjyqit për t’ia thënë këtë konflikt? Mendove se do ta intimidoje në sallën e gjyqit? Ia plotësove kërkesën dhe mendove se kjo do të lehtësonte? Pse reagove vetëm në sallën e gjyqit?

Veliaj: Dita e gjyqit ishte edhe dita e fillimit të hetimeve, absurde apo jo? Pra, gjer në atë ditë, prokurori shpenzoi një vit e gjysmë duke bërë “ca verifikime”; pra, një hile për të bërë hetim për Nesti Angonin – që nuk ekziston – pa e regjistruar kurrë emrin në regjistër.

Po të shikosh të ashtuquajturin kallëzim, që të ftoj ta gjesh e ta publikosh, do çuditet i madh e i vogël se në bazë të kësaj letre bakalli, kryetarit të Bashkisë më të madhe në vend i ka kaluar e gjithë jeta e tij, nga rinia e deri më sot, jo në një skaner, por në një MRI.

Po kështu, nga zelli i madh, prokurori ka shkelur ligjin, Kodin e Procedurës Penale dhe çdo normë tjetër ligjore, duke regjistruar hetimin dhe porositur arrestin në të njëjtën ditë. Imagjino zellin e madh, kur ashtu siç njoftonin me sms e telefonata familjen time ditë të shtunë, po kështu vendosën burgosjen time në ditë të dielë.

Pas shumë peripecive, brenda Prokurorisë së Posaçme, ku gjenden plot zonja e zotërinj me integritet dhe profesionalizëm, më në fund arritën të gjejnë një prokuror për të kryer ekzekutimin tim politik.

Pas 3 ditëve në izolim total, mundësia e parë për t’u përballur me prokurorin-ndërtues si person nën hetim qe dita e gjyqit. Leja e tij e ndërtimit është fakt dhe debatet për lejen i pranoi edhe vetë. Eshtë konflikt i pastër interesi dhe ia thashë me rastin më të parë që m’u dha, në mes të klithmave histerike “ndyrësirë… gënjeshtar patologjik… do të ta tregoj unë ty… do ta bëj edhe këtë surprizë” etj. etj.

erion veliaj olsi dado spak

Sondazh

Poll