Sport

Pjesa e errët e Keylor Navas, kudo probleme me drejtësinë!

Nuk ka vend ku ka qenë dhe ku nuk ka pasur një padi apo nuk është detyruar të dalë në gjyq.

19 Shkurt 2025, 17:49 Nga DOSJA
Pjesa e errët e Keylor Navas, kudo probleme me drejtësinë!

KOSTA RIKA - Ndërkohë që Keylor Navas po përjeton ditët më të vështira të karrierës së tij te Newell’s, problemet me drejtësinë po i shtohen kudo ku shkel. Në Kosta Rika, në Francë, në Spanjë... Nuk ka vend ku ka qenë dhe ku nuk ka pasur një padi apo nuk është detyruar të dalë në gjyq.

Fillimisht ishte në Kosta Rika, ku ai dhe bashkëshortja e tij u paditën në vitin 2020 për një mosmarrëveshje që përfshinte një kompani që ish-portieri i PSG-së dhe Real Madridit e kishte sjellë në vendin e tij – sistem i elektro-stimulimit Electro Body Center. Një biznes që nuk i shkoi siç kishte menduar dhe nga i cili u largua duke lënë pas gjoja disa probleme teknike për blerësit, çështje që përfundoi në gjykatë me një kërkesë për dëmshpërblim prej 150,000 dollarësh.

Problemet e tij vazhduan në Francë, ku verën e kaluar u padit nga një punonjës, i cili e akuzoi se e mbante pa kontratë dhe të strehuar në një bodrum të lagësht dhe pa dritare.

"Jemi në kufirin e të drejtës penale, me fakte që, sipas meje, mund të konsiderohen si skllavëri moderne," deklaroi mbrojtja e viktimës, e cila paraqiti një video si provë, ku shihet Keylor Navas duke iu përgjigjur ankesave të tij me fjalët: "Këtu nuk punojmë me ligjet franceze" dhe "Pa kontratë franceze, të paguaj në dorë, punojmë sipas rregullave të mia".

Padia më e fundit ndaj Keylor Navas që ka dalë në dritë ndodhi në Madrid, kur portieri i ish-klubit të tij, Real Madrid, prishi në mënyrë të njëanshme kontratën që kishte me Breathe Football, agjencia e tij e përhershme të menaxhimit, të drejtuar nga Ricardo Cabañas.

Gjykata e Shkallës së Parë nr. 34 e Madridit e dënoi në janar të vitit 2024 me pagesën e 250,000 eurove plus interesat e vonesës për shkeljen e kontratës së nënshkruar në shtator të vitit 2015. Breathe Football kërkonte që Keylor t’i paguante vitin e fundit të kontratës, gjë që nuk ndodhi dhe përfundoi me një vendim gjyqësor kundër portierit nga Kosta Rika, i cili e ka apeluar vendimin. Ndërkohë, ai ka edhe një tjetër çështje të hapur në Madrid me ish-agjentin e tij, e cila pritet të zgjidhet në muajt e ardhshëm.

Keylor Navas është përballur me gjyqe edhe për çështje sportive në Kosta Rika, pasi disa drejtues të Federatës së Futbollit e akuzuan se kishte kërcënuar se do të humbiste qëllimisht nëse nuk shkarkonin trajnerin Jorge Luis Pinto.

"E vetmja komunikatë që më bëri presidenti i federatës ishte se, nëse unë vazhdoja me ekipin, lojtarët do të humbnin tri ndeshje me qëllim që të më largonin," deklaroi trajneri, i cili përfundimisht u shkarkua pas Kupës së Botës 2014 në Brazil.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll