Politike

"Njëri prej tyre ishte djali i një polici kufitar", Kurti: Vdekja e tre fëmijëve në Jabllanicë trishtoi mbarë popullin

Lidhur me ngjarjen tragjike ka reaguar edhe presidentja Vjosa Osmani dhe krerët e disa partive politike.

2 Shkurt 2025, 14:54 Nga r.ll
"Njëri prej tyre ishte djali i një polici kufitar", Kurti:
albin kurti

KOSOVË- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar lidhur me vdekjen e tre të miturve në Jabllanicë. Kurti u ka shprehur ngushëllime familjarëve të tre fëmijëve, ndërsa bëri të ditur se njëri nga tre fëmijët që humbën jetën është djali i një polici kufitar. 

“Ne emër të të gjithë juve që jeni këtu bashkë me neve si kandidat për këto zgjedhje, më lejoni t’i shprehim ngushëllimet tona të përbashkëta e më të sinqerta tri familjeve në Dukagjin që humbën tre fëmijët e tyre të moshës 14 dhe 15 vjeçarë në Jabllanicë, familjes Mehmeti, Rama dhe Morina. Njëri prej këtyre fëmijëve që ka gjetur vdekjen me rastin e shembjes së një objekti të vjetër është edhe djali i një polici tonë kufitar”, tha Kurti.

Kryeministri u shpreh se kjo vdekje e trefishtë ka pikëlluar mbarë popullin në Kosovë .

“Me këtë rast, kjo vdekje e trefishtë pa dyshim që ka pikëlluar mbarë popullin tonë, na ka trishtuar të gjithëve. Besoj që familjet do ta gjejnë forcën dhe do ta kenë qeverinë tonë pranë tyre në mënyrë që ta përballojnë këtë mort, ndërkaq tre djelmoshat u prehshin në paqe.”, tha Kurti gjatë një tubimi të LVV-së në Prishtinë.

Lidhur me ngjarjen tragjike ka reaguar edhe presidentja Vjosa Osmani dhe krerët e disa partive politike. Ata kanë kërkuar hetimin e plotë të ngjarjes. 

albin kurti

Sondazh

Poll