Politike

Vdekja e tre të miturve në Gjakovë/ Reagojnë politikanët në Kosovë: Lajm tragjik! Organet kompetente të zhvillojnë hetim të plotë për rrethanat e ngjarjes

Presidentja Vjosa Osmani i ka shprehur ngushëllime familjarëve të të miturve, të cilët thotë se sot përballen me boshllëkun e pafund që lë pas humbja e më të dashurve të tyre.

2 Shkurt 2025, 11:52 Nga r.ll
Vdekja e tre të miturve në Gjakovë/ Reagojnë
banesa e shembur

GJAKOVË- Politikanët në Kosovë kanë reaguar lidhur me vdekjen e tre të miturve në Jabllanicë të Gjakovë si pasojë e shembjes së një objekti të pabanuar. 

Presidentja Vjosa Osmani i ka shprehur ngushëllime familjarëve të të miturve, të cilët thotë se sot përballen me boshllëkun e pafund që lë pas humbja e më të dashurve të tyre.

"Me zemër të rënduar dhe dhimbje të thellë morëm lajmin tragjik për humbjen e jetës së tre fëmijëve në Jabllanicë të Gjakovës, të cilët u shuan para kohe si pasojë e rrënimit të një objekti të pabanuar. Nuk ka fjalë që mund ta lehtësojë dhimbjen e familjeve që sot po përballen me boshllëkun e pafund që lë pas humbja e më të dashurve të tyre. Në këtë moment të rëndë pikëllimi, ndajmë me ju dhembjen e papërshkrueshme, duke shprehur ngushëllimet e sinqerta dhe duke qëndruar pranë jush me mendje e zemër. Shpirtrat e tyre të njomë u prehshin në paqe!", thuhet në postimin e Osmanit.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku gjithashtu u ka shprehur ngushëllime familjeve të tre fëmijëve. Në reagimin e LDK-së, Abdixhiku kërkon që organet kompetente të zhvillojnë hetim të plotë dhe të shpejtë për të sqaruar rrethanat e kësaj tragjedie.

"Me rastin e ngjarjes tragjike në Jabllanicë të Gjakovës, ku humbën jetën tre fëmijë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ju shpreh ngushëllime familjeve dhe qëndron me ta në këto momente të rënda.

'Me dhimbje e pikëllim të thellë morëm lajmin tragjik për humbjen e tre fëmijëve në tragjedinë në Jabllanicë të Gjakovës.
Në emër të gjithë anëtarësisë së LDK-së, ju shpreh ngushëllimet e sinqerta familjeve, ndërsa në këto momente të vështira, qëndrojmë pranë tyre dhe lutemi që ta përballojnë këtë humbje të madhe. Po ashtu lus që të gjitha organet kompetente të zhvillojnë hetim të plotë dhe të shpejtë për të sqaruar rrethanat e kësaj tragjedie.'", thuhet në postimin e LDK-së. 

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar lidhur me rastin tragjik në Gjakovë, ku i ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave.

“I tronditur nga tragjedia në Jabllanicë të Gjakovës. Bashkëndjejmë me familjet Rama, Mehmeti e Morina, që humbën fëmijët. Zoti ju lehtësoftë dhembjen.”, thuhet në reagimin e tij. 

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka kërkuar po ashtu që sa më shpejt të kryhet hetim i imtësishëm dhe i tërësishëm i rastit. Konjufca shprehet se këto janë momente të vështira për familjarët e të miturve dhe gjithë shoqërinë.

"Është e dhimbshme dhe e papërshkrueshme humbja e jetëve të tre të miturve në Jabllanicë të Gjakovës. Bëj thirrje që në kohën sa më të shpejtë të kemi hetim të imtësishëm e të tërësishëm të rastit. Shpreh ngushëllimet e mia për familjarët që humbën më të dashurit e tyre, në këto momente jashtëzakonisht të vështira për ta dhe gjithë shoqërinë tonë, duke u lutur që të gjejnë forcën për ta përballuar këtë humbje kaq të madhe!", thuhet në reagimin e Konjufcës. 

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se në këto momente zie, jemi pranë familjeve të vitktimave.

“Dhembje e pafund për vdekjen tragjike të tre fëmijëve në Jabllanicë të Gjakovës. Në këto momente zie, jemi pranë familjeve të tyre me zemër e mendje, për të ndarë dhembjen e tyre të madhe. Ngushëllimet më të sinqerta për të gjithë. Zoti ju dhashtë forcë për ta përballuar këtë humbje të rëndë”, ka shkruar Krasniqi në reagimin e tij.

vjosa osmani vdekja e të miturve ne gjakove lumir abdixhiku

Sondazh

Poll