Politike

Malaj: Në 2024 të ardhurat buxhetore rritje vjetore 9%, borxhi 55.2 % e PBB

Ai shpjegoi se deri në nëntor 2024, të ardhurat buxhetore tejkaluan planin me 3% dhe shënuan një rritje vjetore prej pothuaj 10%.

22 Janar 2025, 15:19 Nga N.F
Malaj: Në 2024 të ardhurat buxhetore rritje vjetore 9%, borxhi 55.2 %
Malaj

TIRANË- Të ardhurat buxhetore vitin e kaluar shënuan rritje vjetore me 9%, teksa borxhi publik pritet të përmbyllet në 55.2 % të PBB, tha sot në Komisionin e Ekonomisë Ministri i Financave Petrit Malaj.

Ai shpjegoi se deri në nëntor 2024, të ardhurat buxhetore tejkaluan planin me 3% dhe shënuan një rritje vjetore prej pothuaj 10%. Ndërkohë që të dhënat paraprake për 12 mujorin e vitit që lamë pas tregojnë për një realizim të plotë të planit dhe tejkalim të të ardhurave me 9 % krahasuar me vitin 2023.  Si rezultat, borxhi publik pritet të ulet në rreth 55.2% të PBB deri në fund të 2024, niveli më i ulët që nga viti 2008, tha Malaj.

Ai tha se cilësia e menaxhimit të borxhit është përmirësuar ndjeshëm, ku pjesa e borxhit në valutë të huaj është ulur nën 45%, ndërsa mbi 80% e portofolit total është me norma fikse interesi.

“Perspektiva jonë për të ardhmen mbetet optimiste. Si për vitin 2024 që lamë pas, ashtu edhe për periudhën afatmesme, parashikojmë një rritje ekonomike rreth nivelit 4%. Në tregun e punës, projektojmë se shkalla e papunësinë do vijojë të ulet më tej, duke zbritur për herë të parë historikisht në një nivel një shifror (nën 10%) gjatë periudhës afatmesme në vijim”, tha Ministri.

Malaj tha se, angazhimi për konsolidim fiskal mbetet i palëkundur, me objektiv vijimësinë e uljes graduale të borxhit publik. Por sigurisht në të njëjtën kohë, mbajtjen në një nivel relativisht të lartë të investimeve në arsim, shëndetësi dhe infrastrukturë, të cilat mbeten prioritete kyçe për zhvillimin afatgjatë të vendit.

“Në reflektim të këtyre zhvillimeve mjaft të mira të ekonomisë në tërësi dhe përmirësimeve të parametrave të financave publike në veçanti, kemi marrë së fundmi edhe vlerësim në rritje të  perspekivës nga dy agjencitë vlerësuese prestigjoze, respektivisht ‘Moody’s’ dhe ‘Standard & Poor’s, ku Moody’s në tetor 2024 përmirësoi vlerësimin për Shqipërinë nga “B1” në “Ba3”, ndërsa Standard and Poor’s e rriti atë nga “B+” në “BB-“, shtoi ai./ Monitor

malaj borxhi te ardhura buxhetore

Sondazh

Poll