Politike

Berisha kujton takimin e Azem Hajdarit me Alinë: Nuk po protestojmë për një gotë çaj, po protestojmë për fatet e lirisë!

Berisha u shpreh se beteja me studentët, është beteja më e vështirë që alarmoi diktatorin, i cili i ftoi ata në mesnatë t’i presë në një sallë të universitetit. Ai shtoi se Azem Hajdari me një grup u paraqitën në takim me presidentin, Ramiz Alinë teksa i theksuan se ata nuk po protestojnë për një gotë çaj por për fatet e lirisë.

8 Dhjetor 2024, 12:11 Nga N.F
Berisha kujton takimin e Azem Hajdarit me Alinë: Nuk po protestojmë
Berisha

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka mbajtur fjalën e tij para të rinjve të cilët janë mbledhur në Qytet Studenti e rastin e 8 dhjetorit. Berisha u shpreh se beteja me studentët, është beteja më e vështirë që alarmoi diktatorin, i cili i ftoi ata në mesnatë t’i presë në një sallë të universitetit. Ai shtoi se Azem Hajdari me një grup u paraqitën në takim me presidentin, Ramiz Alinë teksa i theksuan se ata nuk po protestojnë për një gotë çaj por për fatet e lirisë.

Berisha tha se ata ishin të pamposhtur. Ai shtoi se më datën 9, ora 8 të mëngjesit, ata u bashkohen me vendimin solemn për t’i pushtuar regjimit sheshin e pushtetit, sheshin qendror të Tiranës.Berisha thekson se Azem Hajdari, ngrihej mbi supet e tyre me thirrjet: Poshtë dinastia, poshtë diktatura, liri demokraci!

Fjala e Berishës:

Duke kuptuar se, beteja me studentët, është beteja më e vështirë për të alarmoi diktatorin, i ftoi ata në mesnatë t’i presë në një sallë të universitetit. Azem Hajdari me një grup syrësh u paraqitën në takim. Për cfarë po protestoni, i pyeti, Ramiz Alia? Nuk po protestojmë për një gotë çaj, z.President, iu përgjigj, Azem Hajdari. Po protestojmë për fatet e lirisë.

U nda nga takimi se diktatori do të vinte t’i takonte, në këtë sallë që sot e kanë mbyllur për ju, diktatorët e rinj. Por, siç ishte, i pabesë dhe i frikësuar gjer në palcë, i kishte nxjerrë në dërgatës së studentëve pusi, i kishte vendosur pusi sambistët, me në krye ministrin e Brendshëm, Hekuran Isai, dhe mbi ta u vërsulën si shtazë, me shkopinj dhe mjete tjera, në mënyrë që këta të mos mendonin më të protestonin. Këta të dorëzoheshin.

Por unë u them ju, se ata qenë të pamposhtur. I pamposhtur është vetëm ai që, pasi rrëzohet, ngrihet. Më datën 9, ora 8 të mëngjesit, ata bashkohen me vendimin solemn për t’i pushtuar regjimit sheshin e pushtetit, sheshin qendror të Tiranës. Dhe nisen drejt tij.

Pata fatin e madh që, së bashku me shkrimtarin e njohur, Besnik Mustafaj dhe kinoastin, Kujtim Çashku, të mësojmë se ishin nisur drejt qytetit dhe u nisëm drejt tyre. U gjetëm përballë tyre në rrugën e Elbasanit, segmentin midis Liceut Artistik, dhe sot, rezidencës së ambasadorit italian. Ishim shumë afër, pak metra.

Azem Hajdari, ngrihej mbi supet e tyre me thirrjet: poshtë dinastia, poshtë diktatura, liri demokraci! Ndërkohë, ata djem dhe vajza ishin të rrethuar nga forca sambiste, polici, gardë, ushtri. Shumë e shumë herë më numerikë, se sa ishin ata.

berisha azem hajdari

Sondazh

Poll