Politike

Sot Dita e Rinisë, PD marshim nga Qytet Studenti deri te Kryeministria

Marshimit do t'i bashkohet edhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha. 

8 Dhjetor 2024, 09:35 Nga r.ll
Sot Dita e Rinisë, PD marshim nga Qytet Studenti deri te Kryeministria
selia e pd

TIRANË- Sot për  Ditën e Rinisë, Partia Demokratike do të zhvillojë një marshim-protestë në Tiranë. PD ka njoftuar se marshimi do të nisë në orën 11:00 nga Qytet Studenti deri te Kryeministria. Partia Demokratike në njoftimin e marshimit ka theksuar se rinia shqiptare nuk ka luksin për ta kremtuar këtë ditë si një ditë feste, për sa kohë "Rilindja" i ka ekspozuar përballë eksodit drastik dhe kriminalizimit masiv. Marshimit do t'i bashkohet edhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha. 

Dita e Rinisë kujton një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së saj, kur 34 vite më parë nisi Lëvizja Studentore që solli demokracinë në vend dhe rrëzoi komunizmin. Më 8 dhjetor 1990, një grup studentësh e pedagogësh të Universiteteve të Tiranës, u bënë iniciatorë e protagonistë të kthesës së madhe historike, protestave paqësore që sollën rënien e sistemit komunist dhe lindjen e demokracisë.

Lëvizja Studentore e vitit 1990 është e vetmja Lëvizje paqësore që ndryshoi historinë e Shqipërisë. Akti i tyre publik, sa qytetar aq edhe politik, i dha fund në mënyrë paqësore epokës të gjatë të vetëizolimit dhe të sundimit ideologjik, duke i hapur kështu rrugën e ekonomisë së tregut dhe shoqërisë së hapur. Prej vitit 2009, me vendim të marrë nga Kuvendi i Shqipërisë, kjo datë përkujtohet si festë kombëtare në nderim të të gjithë studentëve të Dhjetorit 1990 dhe gjithë rinisë shqiptare.

partia demokratike pd marshim ne diten e rinise

Sondazh

Poll