Sport

Kim Min-jae (Bayern), një ekuilibër delikat midis futbollit dhe shërbimit ushtarak...

Mbrojtësi i Koresë së Jugut, Kim Min-jae, duhet të kombinojë detyrimet e vendit të tij, për të cilin po kryen shërbimin ushtarak, dhe jetën e tij të përditshme si futbollist te Bayern Munich. Një balancë që nuk ka qenë gjithmonë e lehtë për t'u gjetur.

26 Nëntor 2024, 11:13 Nga DOSJA

Kim Min-jae (Bayern), një ekuilibër delikat midis futbollit dhe

GJERMANI - Javët e fundit, Kim Min-jae (28 vjeç) ka rikthyer nivelin e tij më të mirë. Pas një sezoni të parë të komplikuar në Bayern Munich, ai më në fund tregon fytyrën e lojtarit që u votua si mbrojtësi më i mirë në Serie A në 2022-2023, gjatë fitimit të titullit nga Napoli.

Krahas Dayot Upamecano, ai formon një dyshe gjithnjë e më plotësuese. Që nga shuplaka e marrë ndaj Barcelonës (1-4) më 23 tetor në Champions League, klubi bavarez nuk ka pësuar asnjë gol në gjashtë ndeshje, në të gjitha garat. 

“Qoftë në stërvitje apo në një ndeshje, asnjë sulmues nuk dëshiron të ndeshet kundër Kimit, - ka deklaruar Vincent Kompany, trajneri i Bayernit. - Ai është bërë i rregullt dhe shfaqjet e tij janë të suksesshme çdo herë. E di që mund të mbështetem tek ai në çdo kohë, edhe në mes të natës nëse është e nevojshme”.

Paraqitjet e ndërkombëtarit të Koresë së Jugut (69 ndeshje, 4 gola) nuk janë pa lidhje me shërbimin ushtarak që ai kryen në vendin e tij. Në verën e vitit 2023, kur u largua nga Napoli, ai duhej të shkonte në Seul për të kryer pjesën më të madhe të shërbimit të detyrueshëm, të shkurtuar për sportistët e nivelit të lartë nga 18 muaj në 540 orë.

I detyruar të ndërpresë pushimet për të ndjekur të njëjtin program si qytetarët e tjerë për tre javë rresht, ai bëri marshime 30 kilometrash me çanta shpine 25 kg. Rezultati: një humbje prej 4 kg dhe një pjesë e mirë e gjallërisë së tij.

Ai mund të përfundojë shërbimin e tij ushtarak me videokonferencë

Në fund të këtij trajnimi bazë, Kimit i kishin mbetur vetëm 100 orë shërbimi. Falë një rregulloreje të veçantë, ai tani mund ta bëjë këtë në distancë dhe me videokonferencë nga Mynihu në formën e shkëmbimeve me fëmijë dhe adoleshentë. Ai merr pjesë në takime, të cilave u kushton një deri në dy orë në javë dhe ku u tregon të rinjve koreano-jugorë sakrificat e bëra për t'u bërë një futbollist i nivelit të lartë.

"Për gjendjen time fizike, trajnimi bazë ushtarak ishte shumë i padobishëm,"- u shpreh Kim në një konferencë shtypi. - Këto probleme të fitnesit shpjeguan kryesisht paraqitjet e mia zhgënjyese sezonin e kaluar. Kam luajtur shumë ndeshje kur më mungonte toni dhe freskia. Tani, ndihem sërish në formë të shkëlqyer dhe më në fund mund t'i shfrytëzoj më lehtë cilësitë e mia”. 

Tifozët e Bayernit po kënaqen duke parë një Kim Min-jae shumë më të guximshëm sot dhe shpresojnë ta shohin atë të konfirmojë rikthimin e tij të qartë në formë kundër PSG-së.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll