Aktualitet

U ankua se nuk e ftonin në emisione/ Beti Njuma "nxjerr zbuluar" Lapajn: Ma konfirmoi që do të vinte, por u tregua burracak

Moderatorja përmes një postimi në rrjete sociale, shkruan se pas leximit të një statusi të Lapajt në rrjetet sociale ka kontaktuar me të dhe e ka ftuar në emision. 

19 Nëntor 2024, 17:38 Nga E. D
U ankua se nuk e ftonin në emisione/ Beti Njuma "nxjerr zbuluar"
Adriatik Lapaj dhe Beti Njuma

TIRANË- Gazetarja dhe moderatorja Beti Njuma ka reaguar pas deklaratave të aktivistit Adriatik Lapaj, i cili thotë se nuk ftohet në emisione televizive. Moderatorja përmes një postimi në rrjete sociale, shkruan se pas leximit të një statusi të Lapajt në rrjetet sociale ka kontaktuar me të dhe e ka ftuar në emision. 

Gjithashtu Njuma thotë se Lapaj fillimisht e ka pranuar ftesën dhe e ka konfirmuar edhe në mëngjesin e ditës së emisionit, por më pas ka rrefuzuar të shkojë në emision. Sipas gazetares, ai do të ishte pjesë e një paneli me Dash Sheshin, Agron Shehajn dhe Isa Myzyrajn.

Po ashtu gazetarja thotë se Lapaj ka argumentuar se nuk dëshironte të përfshihej në sulme "poshtë brezit." Më tej Njuma shkruan se ajo nuk e di nga kush ka frikë Lapaj dhe as nuk beson se ndihet i kërcënuar nga dy prej deputeteve më të civilizuar të Kuvendit. 

Postimi i plotë: 

Adriatik Lapaj ka disa javë që ankohet se nuk e marrin televizionet në studio. E mora ne telefon javën e kaluar, me të lexuar statusin në rrjetet sociale dhe i thashë, siç u kam thënë të gjithë përfaqësuesve të grupimeve të reja, se tek mua e ka studion gjithmonë të hapur. Dhe e ftova në emision për sonte. Pasi pranoi, pasi ma konfirmoi edhe sot në mëngjes, në një panel me Dash Sheshin, Agron Shehajn dhe kolegun e Ora News Isa Myzyraj, Adriatiku më mori në telefon dhe më tha nuk vij se me sulmojnë poshtë brezit.

Unë nuk e di nga kush ka frikë Lapaj dhe as guxoj të besoj se ndihet i kërcënuar nga dy prej deputeteve më të civilizuar të Kuvendit, por t’i shmangesh debateve televizive me këtë argument më duket burracakëri. Është e pandershme, një viktimizim i panevojshëm dhe që nuk ndihmon në ngritjen e një imazhi të besueshëm, ndryshe nga ai i politikës së vjetër kundër së cilës Lapaj flet nga mëngjesi në mbrëmje.

beti njuma adriatik lapaj

Sondazh

Poll