Politike

Berisha: Organizata më e madhe e partive të qendrës së djathtë miratoi rezolutën ku dënohet narkoregjimi i Ramës dhe burgosja e liderëve të opozitës

Gjatë fjalës së tij Berisha ka theksuar se samiti i Internacionales së Qendrës Demokratike ka dënuar gjithashtu dhe burgosjen e liderëve të opozitës.

18 Nëntor 2024, 12:34 Nga I.A
Berisha: Organizata më e madhe e partive të qendrës së
Sali Berisha

TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka deklaruar se Organizata më e madhe e partive të qendrës së djathtë ka miratuar rezolutën ku dënon pushtetin e Edi Ramës në Tiranë. Gjatë fjalës së tij Berisha ka theksuar se samiti i Internacionales së Qendrës Demokratike ka dënuar gjithashtu dhe burgosjen e liderëve të opozitës. Në konferencën me gazetarët, Berisha tha se, reforma e Xhorxh Sorosit merr një ndëshkim ndërkombëtar.​

"Këtë takim me ju do t’ia përkushtoja tërësisht problemit themelor që është buxheti, por do ta nis me një lajm shumë të rëndësishëm që sapo erdhi nga samiti i Internacionales së Qendrës Demokratike, organizatë që grupon 108 parti politike të qendrës, qendrës së djathtë. Pra, organizata më e madhe gjer sot me një shtrirje planetare, nga parti në të katër anët e globit, miratuan para një ore rezolutën në të cilën dënohet narkoregjimi i Edi Ramës. Miratuan rezolutën e paraqitur nga PD mbi situatën dramatike në Shqipëri. Mbi dhunimin dhe farsën elektorale. Mbi arrestimin dhe burgosjen e liderëve të opozitës si në asnjë vend tjetër në Europë.

Mbi lidhjet e qeverisë me mafien, drogën dhe krimin e organizuar. Korrupsionin e papërmbajtur. Mbi gjendjen dramatike të sistemit të drejtësisë. Pra, reforma e Xhorxh Sorosit merr një ndëshkim ndërkombëtar. Dënohet arrestimi i liderëve të opozitës, Sali Berishës, Ilir Metës, Fatmir Mediut, Ervin Salianjit, Fredi Belerit. Shprehet mbështetje e plotë për PD-në dhe opozitën shqiptare. Dënohen lidhjet e qeverisë me organizatat kriminale të Amerikës Latine dhe vendeve të tjera.

Por, ajo që është për të theksuar se krahas këtyre dënimeve të ashpra, në të njëjtën linjë kanë qenë diskutimet duke filluar që nga presidenti i CDI dhe personalitete të tjera botërore. Është duartrokitur dhe mirëpritur diskutimi i përfaqësueset tonë në këtë organizatë, Albana Vokshi, e cila ka paraqitur aty me vërtetësi të gjithë gjendjen karikaturale të narkoshtetit shqiptar. Diskutimit të zonjës Vokshi i janë referuar një seri diskutantësh ndër më kryesorë që kanë marrë fjalën me këtë rast," tha Berisha.

sali berisha

Sondazh

Poll