Politike

Bardhi i përgjigjet Ramës: Pensionistët në 12 vite kanë pensione 8% më të ulëta. Çmimet e shportës janë rritur trefish

Gjatë fjalës në Kuvend, Bardhi tha se pensionistët në 12 vite të qeverisjes së Partisë Socialiste kanë pensione gati 8% më të ulëta.

18 Nëntor 2024, 11:36 Nga I.A
Bardhi i përgjigjet Ramës: Pensionistët në 12 vite
Gazment Bardhi

TIRANË- Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka deklaruar se kryeministri Rama ka mashtruar kur tha se pensioni është rritur. Gjatë fjalës në Kuvend, Bardhi tha se pensionistët në 12 vite të qeverisjes së Partisë Socialiste kanë pensione gati 8% më të ulëta.

“Masa e rritjes të pensionit sjellë një rritje me 9% mujore, tha Rama. Pensionistët e kanë 8% më të ulët pensionin, pra pas 12 vitesh jo vetëm nuk kanë përfituar rritje, por marrin më pak. Siç thoshte vetë kur ishte kandidat për kryeministër, një kryeministër i paaftë që nuk i bën realitet premtimet në mandatin e parë duhet çuar në shtëpi. I ftoj qytetarët të arsyetojnë çfarë duhet bërë, që në fund të mandatit të tretë nuk u ka rritur pensionet edhe pse u mori votën në vitin 2013 me premtimin se do u rriste pensionet dhe do i bënte dinjitoze. Pas 12 viteve, jo vetëm e ka harruar këtë premtim, por vjen këtu edhe tallet, me prindërit e secilit prej nesh, me pensionistët shqiptarë, që meritojnë respektin më të madh nga kjo sallë, meritojnë rritje dinjitoze të pensioneve, të kujtohemi për ta çdo ditë, çdo orë, çdo minutë dhe jo një herë në katër vite. Foli për rritje të fondit të pagave, ka qenë tha 500 milionë euro, ne e kemi çuar, 1.3 miliardë euro. Juve ju duhet paga për patronazhistët. Në kohën e PD kishte 89 mijë persona të punësuar në administratë, sot e keni çuar 200 mijë punonjës”, tha Bardhi.

Bardhi theksoi në fjalën e tij në Kuvend se, çmimet e shportës janë më të larta dhe qytetarët blejnë më pak dhe ky buxhet është i destinuar për klientët e qeverisë dhe jo për familjarët dhe qytetarët e vendit.

“Çmimet e shportës janë trefish më të larta, çmimi i energjisë elektrike dhe ujit më i lartë, ndërsa ti mburresh me rritjen e rrogave. Ky buxhet është dëshmi e qartë e korrupsionit galopant që po shkatërron ekonominë dhe shpresën e këtij vendi. Buxhet i zi, për oligarkët dhe klientët e qeverisë dhe jo për njerëzit që mezi mbyllin muajin. Njerëzit që jetojnë me rrogë e shohin që blejnë më pak, bëjnë më pak pushime dhe ndajnë më pak për familjen e tyre," tha Bardhi.

gazment bardhi seance plenare 18 nentor 2024

Sondazh

Poll