Politike

FOTO/ Dëshmia e tij te Komisioni i Shëndetësisë dështoi, Ilir Beqaj lë Kuvendin dhe kthehet në qeli

Që në nisje të mbledhjes, janë zhvilluar debate të ashpra mes opozitës dhe mazhorancës. Shkak i debateve dhe dështimit të dëshmisë së Beqajt ishte dhe kërkesa e këtij të fundit për të bërë deklaratën e tij shoqëruar me Power Point.

12 Nëntor 2024, 19:51 Nga r.ll
FOTO/ Dëshmia e tij te Komisioni i Shëndetësisë
ilir beqaj

TIRANË- Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ka lënë ambientet e Kuvendit për tu rikthyer sërish në qeli pas 10 orësh. Ai pritej të dëshmonte para Komisionit Hetimor për Koncesionet në Shëndetësi, por mbledhja u shty për ditën e nesërme. Beqaj shihet i shoqëruar nga punonjës policie, ndërsa duart e prangosura i ka të mbuluar me një xhup. 

Që në nisje të mbledhjes, janë zhvilluar debate të ashpra mes opozitës dhe mazhorancës. Shkak i debateve dhe dështimit të dëshmisë së Beqajt ishte dhe kërkesa e këtij të fundit për të bërë deklaratën e tij shoqëruar me Power Point. Opozita dhe kryetarja e komisionit, Albana Vokshi e kanë refuzuar kërkesën e tij duke deklaruar se kjo gjë nuk lejohet. Nga ana tjetër mazhoranca thotë se nuk e pengon punën e komisionit nëse deklarata e ish-ministrit shoqërohet me prezantimin në Power Point.  

Ilir Beqaj do të dëshmojë lidhur me 2 koncesionet, atë të sterilizimit dhe të check up-it. Ai është nën hetim nga SPAK për dy dosje, të sterilizimit dhe një për abuzim me fondet e SASPAK. Ditën e djeshme dëshmoi për 5 orë në komision biznesmeni Ilir Rrapaj i cili mbërriti me pranga në Kuvend. Rrapaj mohoi lidhjet miqësore me ish-drejtuesit Ilir Beqaj dhe ish-zv. ministrin Klodjan Rjepaj. Koncensioni 10 vjeçar me vlerë afro 100 milionë dollarë iu dha kompanisë 'SaniService', një bashkim kompanish ku Ilir Rrapaj me kompaninë e tij 'Investital LLC' është zotëruesi kryesor i aksioneve, krahas kompanive italiane “Servizi Italia”, “Tecnosanimed” dhe “U.Jet S.r.l” të Staccinit. Biznesmeni Ilir Rrapaj ndodhet në arrest me burg prej 16 gushtit 2024, ndërsa i arrestuar është edhe ish-zv.ministri i Shëndetësisë Klodian Rjepaj.

komisioni i shendetesise 12 nentor 2024 ilir beqaj

Sondazh

Poll