Aktualitet

Vrasja e efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha në Lazarat, Gjykata e Lartë rrëzon ankimin e Ruhan Hirajt për rishikim të vendimit

Hiraj konsiderohet si pjesëtar i grupit të strukturuar kriminal, i njohur si "grupi i zjarrit" me të paktën 13 persona të dyshuar, tashmë edhe të dënuar përfundimisht nga drejtësia, pasi qëlluan me armë zjarri ndaj efektivëve në fshatin Lazarat.

9 Nëntor 2024, 11:01 Nga M.B
Vrasja e efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha në Lazarat, Gjykata e
Ruhan Hiraj dhe Ibrahim Basha

TIRANA- Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e paraqitur nga Ruhan Hiraj, i dënuar nga Apeli i Posaçëm me 15 vite burg, për vrasjen e efektivit të RENEA-s Ibrahim Basha në qershor 2015 në Lazarat.

Hiraj konsiderohet si pjesëtar i grupit të strukturuar kriminal, i njohur si "grupi i zjarrit" me të paktën 13 persona të dyshuar, tashmë edhe të dënuar përfundimisht nga drejtësia, pasi qëlluan me armë zjarri ndaj efektivëve në fshatin Lazarat. Për sulmin u akuzuan si organizatorë vëllezërit Aliko.

Nga ana tjetër, ditën e sotme trupa gjykuese nuk pranuan kërkesën e Hirajt për rishikim të vendimit të dhënë nga Apeli i Posaçëm, në datë 18 shkurt të vitit 2021.

Si ndodhi ngjarja?

Në orët e para të mëngjesit të 24 qershorit të 2015-ës, forcat e policisë së bashku me forcat speciale RENEA dhe FNSH, zbarkuan në Lazarat pasi kishin marrë informacion për një situatë problematike, ku kishte pasur edhe të shtëna armësh. Pas kontrolleve ata arrestuan Xhulio Malon, i cili po qarkullonte me makinë pranë qendrës së fshatit. Në makinë u gjetën municione të shumta dhe lëndë narkotike.

Forcat speciale, njoftuan kolegët e tyre që të shoqëronin Malon. Në momentin që furgoni po afrohej për të bërë shoqërimin e Malos, u qëllua ndaj tij me armë zjarri nga një distancë prej rreth 200 metrash.

Si pasojë e të shtënave, mbeti i vrarë efektivi i policisë, Ibrahim Basha, ndërsa u plagosën efektivët Jetmir Isai dhe Perlat Hamitaj. Asokohe, Policia e Shtetit kishte nisur një aksion për spastrimin e grupeve kriminale të drogës në Lazarat dhe shkatërrimin e parcelave me kanabis.

ibrahim basha

Sondazh

Poll