Politike

"Në Himarë nuk ka probleme me pronat", Rama për mediat greke: Nuk është e vërtetë se kam refuzuar takimin me Belerin, nuk kam pasur asnjëherë takime me eurodeputët

Ai tha se brenda pak javësh do të përfundohet edhe regjistrimi i të gjitha shtëpive në të gjithë bashkinë.

4 Nëntor 2024, 13:52 Nga r.ll
"Në Himarë nuk ka probleme me pronat", Rama për mediat
edi rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama pas takimit të tij në Selanik me diasporën shqiptare iu është përgjigjur mediave greke lidhur me çështjen e pronave në Himarë dhe Fredi Belerin.

Lidhur me pronat në Himarë, Rama tha se ka dezinformata për çështjen në fjalë pasi sipas tij nuk ka problem specifik të pronave atje. Ai tha se brenda pak javësh do të përfundohet edhe regjistrimi i të gjitha shtëpive në të gjithë bashkinë.

"Para së gjithash, besoj se ka një keqkuptim total për pronat në Himarë, dhe ka shumë dezinformata në lidhje me çështjen e pronës, sepse nuk ka një gjë të tillë si problem specifik të pronave atje. Ka një çështje në gjithë Shqipërinë  për pronat, të cilën po e përballojmë çdo ditë dhe po përparojmë. Dhe në fakt me kryebashkiakun e ri të Himarës po bëjmë shumë punë të mirë dhe brenda pak javësh do të përfundojmë regjistrimin e të gjitha shtëpive në të gjithë bashkinë. Kështu që gjithçka që kam lexuar, dhe kam lexuar shumë marrëzi në mediat greke për shpronësimet, apo disa devijime, nuk  bazohen në fakte. Kjo është thjesht propagandë.", tha Rama. 

Lidhur me vizitën e eurodeputetit Fredi Beleri në Tiranë, Rama tha se nuk i ka refuzuar europarlamentarët, por nuk zhvillon takime me to. Ai konfirmoi qëndrimin e tij ndryshe me Greqinë lidhur me çështjen "Beleri". Më tej shtoi se pavarësisht kësaj nuk e ndryshon as pikëpamjen se homologu i tij grek Kyriakos Mitsotakis është një lider dhe politikan shumë i zoti. 

"Drejtësia në Shqipëri është e pavarur dhe askush nuk mund të ndërhyjë në të, as qeveria shqiptare, as qeveria greke dhe sistemi i drejtësisë shqiptare ka marrë një vendim. Pra, ky vendim nuk është për diskutim, është vetëm për zbatim. Dhe një tjetër lajm i rremë është se unë refuzoj të takohem me të, sepse kjo nuk është e vërtetë. Unë thjesht nuk kam takime me eurodeputetët dhe kaq. Nuk i kam takuar europarlamentarët, jo tani, por as në të kaluarën. Ajo që ndodhi nuk e ndryshon pikëpamjen time se Kyriakos është një lider shumë modern i Greqisë dhe unë e shoh atë si një person shumë inteligjent. Shumë i arsimuar, politikan shumë i zoti. Kështu që unë kam për të veç respekt dhe miqësi dhe ne jemi miq. Unë e konsideroj atë një mik të mirë. Sigurisht që ai është kryeministri i Greqisë dhe unë jam kryeministër i Shqipërisë dhe në këto poste mbizotërojnë interesat kombëtare apo çfarëdo që ju konsideroni interesa kombëtare mbi miqësinë dhe kështu është, por nuk shoh asnjë problem nga ana ime për të forcuar më tej këtë marrëdhënie me Greqinë.", u shpreh kryeministri Rama. 

edi rama

Sondazh

Poll