Aktualitet

Më e fundit Flutura Basha/ Kush janë të pafajshmit që paguan gabimisht "faturën" e atentateve mafioze ndër vite?

Rasti më i fundit, ishte ai i çiftit të bashkëshortëve Basha të cilët po ktheheshin në shtëpi, kur motori i tyre u përplas nga automjeti ku ishin Hamza Lici dhe Arlind Bushati, ndaj të cilëve u qëllua me breshëri plumbash.

31 Tetor 2024, 15:36 Nga r.ll

Më e fundit Flutura Basha/ Kush janë të pafajshmit që paguan

TIRANË- Atentati mafioz që tronditi mbrëmjen e djeshme Shkodrën nuk është i pari dhe vitet e kanë treguar se mund të mos jetë i fundit, që përvec shënjestrave të caktuara, faturën e përplasjeve mes bandave dhe grupeve e kanë paguar gabimisht persona të pafajshëm.

Rasti më i fundit, ishte ai i çiftit të bashkëshortëve Basha të cilët po ktheheshin në shtëpi, kur motori i tyre u përplas nga automjeti ku ishin Hamza Lici dhe Arlind Bushati, ndaj të cilëve u qëllua me breshëri plumbash. Flutura Basha ndërroi jetë në vendngjarje, ndërsa Bashkim Basha po lufton me jetën në spital. Shënjestrat e atentatit, emra të njohur të krimit, po ashtu gjetën vdekjen. 

Ndërkohë, jo më shumë se katër muaj më parë një dyshe tjetër e pafajshme humbën jetën nga një atentat po ashtu mafioz. Mamaliaj u trondit mbrëmjen e 21 korrikut kur në një lokal u ekzekutua Shyqyri Kalemi, babai i Andrea Kalemit i dyshuar për vrasjen e biznesmenit Edmond Papa. Plumbat nuk kursyen as kamarierin që punonte për të siguruar të ardhura, Gledio Mukën dhe as Marsel Çelën, i cili po pinte kafe si çdo mbrëmje duke mos e ditur se ishte e fundit.

E ndodhur në vendin dhe kohën e gabuar, ishte edhe banakierja Mimoza Paja në një lokal në Don Bosko, që ishte në pronësi të Fatjon Murati, një tjetër emër i njohur për përfshirjen në ngjarjet kriminale dhe i shumëkërkuar nga policia. Më 12 mars të 2023, lokali u qëllua me brëshëri nga një automjet në lëvizje. Plumbat e kallashnikovit të autorëve i morën jetën në vendin e punës 58-vjeçares, ndërsa edhe mbesa e saj e mitur u lëndua nga thyerja e xhamave . Fatjon Murati dyshohet i përfshirë në masakrën e Fushë Krujës u ekzekutuan Brilant Martinaj, Besmir Haxhia dhe Diklen Vata. Gjithashtu ka qenë i dënuar për armëmbajtje dhe posedim të municioneve pa leje, ndërsa Prokuroria e Tiranës i ka sekuestruar Fatjon Muratit një pasuri me vlerë 5 mln euro.

Enea Thomaraj në Elbasan, ndërroi jetë më 4 tetor, pas 4 muajsh në gjendje kome. I riu që kishte një jetë normale, ishte vetëm një korridor larg personave që kishin konflikte me eksponentë shumë të njohur të krimit. 29-vjeçari u plagos rëndë nga tritoli që u vendos në banesën e dy motrave Nikolli, më 14 korrik pasi Giovana Nikolli iu drejtua me një video Nuredin Dumanit. Banesa e Themollarit ishte ngjitur me banesën e motrave Nikolli në pallatin ku jetonin.

Po gabimisht në 4 janar 2022 humbi jetën edhe Erion Çela, nga një atentat që kishte porositur Kasandër Noga. Synim i këtij atentati ishte elemini i Geron Hasanbelliut, me të cilin Noga ka hasmëri prej vitesh. Kasandër Noga kishte paguar Kevin Suçin që të vriste armikun e tij prej vitesh, por 24-vjeçari bashkë me dy persona të tjerë ngatërruan objektivin. Edhe ky atentat mafioz ndodhi në një lokal në Don Bosko, ndërsa plumbat e kallashit i morën jetën gabimisht 35-vjeçari Erion Çela

atentatet mafioze mimoza paja flutura basha gledio muka erion çela marsel çela enea thomaraj

Sondazh

Poll