Aktualitet

Zgjedhjet parlamentare në Bullgari, hapen qendrat e votimit edhe në 4 qytete të Shqipërisë

Në këto zgjedhje po marrin pjesë qytetarët bullgarë, të cilët Shqipëria i njeh si pjesë e minoritetit në bazë të ligjit që është miratuar në vitin 2017.

27 Tetor 2024, 12:44 Nga r.ll
Zgjedhjet parlamentare në Bullgari, hapen qendrat e votimit edhe në 4
foto ilustruese

SHQIPËRI- Në Bullgari mbahen ditën e sotme zgjedhjet parlamentare. Në garë janë 22 parti dhe nëntë koalicione, ndërsa në qytetet bullgare qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 20:00.

Ndërkohë edhe në 4 qytete në vendin tonë janë hapur disa pika votimi, konkretisht në Kukës, Tiranë, Korçë dhe Elbasan. Deri më tani, procesi i votimit po kryhet normalisht dhe pa probleme, ndërsa ka nisur dhe mbyllet në të njëjtën kohë si në Bullgari. 

Në këto zgjedhje po marrin pjesë qytetarët bullgarë, të cilët Shqipëria i njeh si pjesë e minoritetit në bazë të ligjit që është miratuar në vitin 2017. Referuar të dhënave të Censit 2023 ku për herë të parë është matur edhe minoriteti bullgar rezulton se 7057 persona në Shqipëri janë deklaruar dhe regjistruar si bullgar.

Para zgjedhjeve, një sondazh i Gallup International Balkans, që u publikua nga Radioja Kombëtare e Bullgarisë, sugjeroi se asnjë parti nuk pritet të fitojë shumicën në këto zgjedhje. Partia e qendrës së djathtë e ish-kryeministrit Boyko Borisov, GERB, pritet të dalë e para me rreth 26 për qind të votave. Megjithatë, kjo parti me shumë gjasa do të përballet me vështirësi në gjetjen e partnerëve qeverisës, duke i hapur rrugë bisedimeve të zgjatura për formimin e një koalicioni.

zgjedhjet ne bullgari kukes tirane elbasan korce

Sondazh

Poll