Sport

19-vjeçari Charlie Watson vazhdon të luajë futboll, pavarësisht se ka kancer: “Nuk më vjen keq për veten, e pranoj atë që ndodh!”

19-vjeçari kujton tronditjen kur u diagnostikua me melanoma malinje, e cila u përhap në mushkëri, mëlçi dhe nyjet limfatike.

24 Tetor 2024, 21:00 Nga DOSJA
19-vjeçari Charlie Watson vazhdon të luajë futboll,

SKOCI - Charlie Watson, një 19-vjeçar që luan për Threave Rovers, në divizionin e katërt të Skocisë, vazhdon të luajë futboll, pavarësisht se vuan nga kanceri i lëkurës, ka treguar ai për stacionin televiziv BBC këtë të enjte.

“Kisha një gungë në bark që filloi të bëhej më e madhe dhe i kërkova mjekut që ta hiqte. Dy javë më vonë më thanë se gunga doli se ishte kancer lëkure”,- tha Watson, duke shtuar se ishte një tronditje për të. Ai u diagnostikua me melanoma malinje, e cila tani është në fazën e katërt dhe është përhapur në mushkëri, mëlçi dhe nyjet limfatike.

Një vit pasi u diagnostikua me melanoma malinje, i riu shënoi golin e fundit në fitoren 6-1 ndaj Vale Leithen, në raundin e parë të Kupës së Skocisë, kompeticion në të cilin Threave Rovers do të përballet me Stranraer.

“Nuk më vjen keq për veten. Jam tipi i njeriut që e pranoj atë që ndodh”,- është shprehur lojtari para ndeshjes së parë të karrierës që do të transmetohet në televizion.

Trajneri Danny Dunglinson e vlerësoi "luftën shumë të ashpër" të Charlie Watson. "Ai është vetëm 19 vjeç dhe nuk ka humbur asnjëherë një seancë stërvitore dhe gjatë ndeshjeve nuk e shohim asnjëherë jashtë vendit apo vuajtjes. Në rastin më të mirë, mund të them se ai po bëhet gjithnjë e më i mirë", tha trajneri i tij Danny Dunglinson.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll