Politike

"Kuvendi nuk mund të trajtohet kurrë si qelia e Pëllumb Gjokës", Spiropali për reagimin e PD-së: Vazhdë e sulmeve jonjerëzore

Spiropali ftoi kreun e Grupit të PD-së, Gazment Bardhin dhe opozitën që të reflektojnë mbi degradimin etik, që sipas saj, po karakterizon veprimtarinë e tyre.

10 Tetor 2024, 09:54 Nga r.ll
"Kuvendi nuk mund të trajtohet kurrë si qelia e Pëllumb
elisa spiropali

TIRANË- Kryetarja e Kuvendit ka reaguar pas deklaratës së Grupit Parlamentar të PD-së për anullimin e seancës së sotme plenare. Ajo e ka cilësuar reagimin e tyre si "vazhdë e sulmeve jonjerëzore, përveçse antidemokratike". 

Spiropali ftoi kreun e Grupit të PD-së, Gazment Bardhin dhe opozitën që të reflektojnë mbi degradimin etik, që sipas saj, po karakterizon veprimtarinë e tyre.

Reagimi i Kuvendit

Kryetarja e Kuvendit, shpreh keqardhje të sinqertë për komunikatën e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, e cila është vazhdë e sulmeve jonjerëzore, përveçse antidemokratike me këmbë karrigesh mbi të, gjatë kryerjes së detyrës.

Kryetarja e Kuvendit e fton Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike dhe posaçërisht autorin e goditjes me këmbë karrigeje, si edhe të kësaj komunikate goditëse me gjuhën e shpifjes, të reflektojnë mbi degradimin etik që po karakterizon veprimtarinë e tyre.

Kryetarja e Kuvendit e siguron Kuvendin dhe zgjedhësit se këto shfaqje degraduese të pakicës së të zgjedhurve, as nuk e intimidojnë dhe as nuk e pengojnë dot të kryejë me përkushtim, drejtësi dhe besnikëri të palëkundur ndaj rregullave të Kuvendit, rolin e saj institucional.

Grupi Parlamentari Partisë Demokratike reagoi më herët lidhur me vendimin për anulimin e seancës së sotme plenare.  PD thotë se vendimi ishte i pakonsultuar në Konferencën e Kryetarëve dhe personal i kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropalit. Ata e kanë e cilësuar si vendim antikushtetues dhe që bie ndesh me çdo parim demokratik të funksionimit të Parlamentit. 

"Kuvendi është tempulli i përfaqësimit të qytetarëve, që nuk mund të trajtohet kurrë si qelia e Pëllumb Gjokës.", thuhet ndër të tjera në reagimin e PD-së.

elisa spiropali grupi parlamentar i pd

Sondazh

Poll