Politike

Anullimi i seancës plenare/ "Vendim antikushtetues dhe personal i Spiropalit", PD: Kuvendi nuk mund të trajtohet kurrë si qelia e Pëllumb Gjokës

PD thotë se vendimi ishte i pakonsultuar në Konferencën e Kryetarëve dhe personal i kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropalit.

10 Tetor 2024, 08:41 Nga r.ll
Anullimi i seancës plenare/ "Vendim antikushtetues dhe personal i
foto ilustruese

TIRANË- Grupi Parlamentari Partisë Demokratike ka reaguar lidhur me vendimin për anulimin e seancës së sotme plenare. 

PD thotë se vendimi ishte i pakonsultuar në Konferencën e Kryetarëve dhe personal i kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropalit. Ata e kanë e cilësuar si vendim antikushtetues dhe që bie ndesh me çdo parim demokratik të funksionimit të Parlamentit. 

"Kuvendi është tempulli i përfaqësimit të qytetarëve, që nuk mund të trajtohet kurrë si qelia e Pëllumb Gjokës.", thuhet ndër të tjera në reagimin e PD-së.

REAGIM I GRUPIT PARLAMENTAR TË PARTISË DEMOKRATIKE

Kuvendi i Shqipërisë është institucion kushtetues, që funksionon sipas Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit. Seanca plenare dhe plani i punës së Kuvendit miratohen nga Konferenca e Kyetarëve me mirëkuptim apo nga seanca plenare, që ka përcaktuar me vendim se dita e enjte, datë 10 Tetor 2024, është ditë për mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare. Kryetarja e Kuvendit ka vetëm detyrimin për të caktuar çështjet qe trajtohen, pra Rendin e Ditës.

Anullimi i seancës me vendim personal të Elisa Spiropalit është antikushtetues dhe bie ndesh me çdo parim demokratik të funksionimit të Parlamentit. Kuvendi nuk është qelia personale në burg e Pëllumb Gjokës, që për shkak të lidhjeve me pushtetin, ai e hap e mbyll sa herë dëshiron. Kuvendi është tempulli i përfaqësimit të qytetarëve, që nuk mund të trajtohet kurrë si qelia e Pëllumb Gjokës.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike dënon me forcë sjelljen e Kryetares së Kuvendit Elisa Spiropali, që hap e mbyll punimet e Kuvendit, pa asnjë konsultim, pa ndjekur asnjë rregull, duke shkelur Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, dhe duke e shndërruar zyrtarisht Parlamentin e Shqipërisë në qelinë personale në burg ku strehohet Pëllumb Gjoka apo të ngjashmit e tij.

Lajmi për anullimin e seancës plenare u dha dje, ndërsa shkak i këtij vendimi mësohet të jetë aksioni opozitar dhe vizita e presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan në Tiranë. Seanca plenare e kësaj të enjteje u njoftua se do të zhvillohet në datën 17 tetor. Nga ana tjetër, Erdogan do të vizitojë sot Tiranën teksa pritet të inaugurojë edhe xhaminë e Namazgjasë pranë parlamentit. Po ashtu për ditën e sotme ishte paralajmëruar edhe aksioni i radhës i opozitës në parlament. Disa prej deputetëve të mazhorancës, së bashku me kryeministrin Edi Rama dhe ministrat do të jenë në pritjen e Erdogan. 

 

grupi parlamentar i pd

Sondazh

Poll