Sport

Kualifikueset Euro U-17/ Shqipëria barazon 1-1 me Kroacinë, ndërkohë fitoi Holanda...

Shqipëria U-17 barazoi (1-1) ndeshjen e parë kualifikuese në grupin 3 ndaj Kroacisë, e vlefshme për Kampionatin Europian U-17. Holanda fitoi 6-0 me Ishujt Faroe…

9 Tetor 2024, 18:43 Nga DOSJA

Kualifikueset Euro U-17/ Shqipëria barazon 1-1 me Kroacinë,

TIRANE - Në stadiumin “Air Albania” kuqezinjtë U-17 barazuan 1-1 me Kroacinë. Shqipëria zhvilloi një ndeshje shumë të mirë dhe dominoi me raste sidomos në pjesën e dytë, ku edhe gjetën rrugën e rrjetës me anë të Gabriel Kullën.

Trajneri Andrea Tedesco e nisi me këtë formacion: Raffaele Huli (GK), Darli Kurti, Kris Gecaj (C), Andreas Llana, Lucas Cekrezi, Fabjano Nuhaj, Ernesto Marqeshi, Gabriel Kulla, Rikardo Sheji, Emiljano Mihana, Arian Gavelli Sanches.

Kroacia ishte më kërkuese në startin e ndeshjes. Goli i parë i ndeshjes u shënuan në minutën e 28-të. Pas një harkimi në zonë nga kroatët, futbollisti ynë Darli Kurti nuk e largoi si duhet topin dhe shënoi autogol. Pjesa e parë u mbyll 0-1 për Kroacinë.

Fraksioni i dytë nisi me një zëvendësim për Shqipërinë. Arian Gavelli doli nga loja dhe u aktivizua Serxhio Vogli. Shqipëria i shkoi shumë pranë golit në minutën e 60-të me Andreas Llanën. Mesfushori kuqezi provoi me një goditje spektakolare nga jashtë zone, por u ndal nga portieri kundërshtar.

Shqipëria barazoi rezultatin me Gabriel Kullën në minutën e 66-të. Rikardo Sheji gjuajti në mënyrë spektakolare nga goditja e dënimit, por topi u ndal nga tranversa. Më pas, topin e kthyer, sulmuesi Gabriel Kulla e dërgoi në rrjetë, duke barazuar në 1-1.

Trajneri Tedesco kreu edhe dy zëvendësimet e radhës. Nga loja dolën Mihana e Marqeshi dhe u aktivizuan Shkëmbi e Ramku. Në vazhdim tekniku kuqezi aktivizoi edhe Spasian Naston e Amer Kthupin. Shqipëria provoi deri në fund për të shënuar golin e dytë, por pa sukses. Ndeshja u mbyll në barazim 1-1.

Po sot u zhvillua edhe ndeshja tjetër e grupit 3, Holandë - Ishujt Faroe. Takimi i luajtur në stadiumin “Niko Dovana” përfundoi me fitoren 6-0 të “Tulipanëve”.

Më 12 tetor do të luhen ndeshjet e dyta të grupit 3. Shqipëria do të presin Holandën në stadiumin kombëtar “Air Albania”, me sfidën e planifikuar të luhet në orën 15:00, ndërsa në orën 11:00 në “Shtëpinë e Futbollit” do të luhet ndeshja Kroaci - Ishujt Faroe.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll