Aktualitet

Si paraqitet situata nga përmbytjet në Vlorë? Evakuohen 33 familje, bie intensiteti i reshjeve të shiut

Personat e evakuuar janë sistemuar në ambientet e konvikteve nga Bashkia Vlorë.

4 Tetor 2024, 22:00 Nga r.ll
Si paraqitet situata nga përmbytjet në Vlorë? Evakuohen 33
permbytjet ne vlore

VLORË- Situata nga përmbytjet në qytetin e Vlorës është drejt normalizimit. Gjatë pasdites intensiteti i reshjeve ka rënë, ndërsa si rrjedhojë edhe uji është tërhequr. 

Në njoftimin e fundit të Ministrisë së Mbrojtjes, bëhet me dije se janë evakuuar 33 familje, konkretisht 55 persona. Këta të fundit janë sistemuar në ambientet e konvikteve nga Bashkia Vlorë.

NJOFTIMI I MINISTRISË:

Situata në qytetin e Vlorës është drejt normalizimit. Pas reshjeve të dendura në pjesën e dytë të ditës së sotme, intensiteti i reshjeve ka rënë dhe, si pasojë, edhe uji është tërhequr. Ministria e Mbrojtjes, në koordinim me Shtabin e Përgjithshëm dhe AKMC, dërgoi sot në qytetin e Vlorës 28 forca, 8 mjete me kalueshmëri të lartë, 2 motopompa për heqjen e ujit, 1 gomone dhe 5 mjete transporti. Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, në 3 orë u regjistruan rreth 180 mm reshje shiu. Ndërkohë, janë evakuuar 33 familje (55 persona), të cilët janë sistemuar në ambientet e konvikteve nga Bashkia Vlorë.

Në mbledhjen e Komisionit të Mbrojtjes Civile, ku mori pjesë edhe Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, u diskutua për evidentimin e zonave të cilat kanë prezencë uji dhe kanë nevojë për ndërhyrje, menaxhimin e trafikut në qytet, furnizimin e pandërprerë me energji elektrike të hidrovoreve dhe stacioneve të pompimit, koordinimin dhe menaxhimin ndërmjet strukturave të bashkisë dhe policisë për familjet e evakuuara, ndjekjen e situatës deri në normalizimin e plotë të saj, si dhe pastrimin e kanaleve të cilat janë mbushur për shkak të prurjeve të përrenjve. Nuk parashikohen reshje me intensitet të madh gjatë orëve në vijim, por Ministria e Mbrojtjes do të vazhdojë të monitorojë situatën në terren për t’i ardhur në ndihmë Bashkisë së Vlorës.

permbytjet ne vlore

Sondazh

Poll