Politike

Kaosi në Kuvend, ambasadori i BE: Të ulen tensionet dhe shmangen sulmet

Gonzato e ka konsideruar situatën e krijuar për të ardhur keq, ndërkohë që ka deklaruar se duhet të ulen tensionet menjëherë. 

1 Tetor 2024, 10:43 Nga I.A
Kaosi në Kuvend, ambasadori i BE: Të ulen tensionet dhe shmangen
Silvio Gonzato

TIRANË- Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë Silvio Gonzato ka komentuar kaosin e krijuar ditën e djeshme në Kuvend. Gonzato e ka konsideruar situatën e krijuar për të ardhur keq, ndërkohë që ka deklaruar se duhet të ulen tensionet menjëherë. Ambasadori theksoi se në një demokraci funksionale si Shqipëria pakënaqësitë duhet të shprehen në mënyrën e duhur.

“Është për të ardhur keq që për një çështje tjetër, disa përfaqësues të opozitës përdorën mënyra që ndërpresin mbarëvajtjen e jetës parlamentare në kuvend. Është për të ardhur keq. Për çfarëdo ideje që kemi nuk është kjo mënyra për ta shprehur mendimin. Në një demokraci funksionale si Shqipëria pakënaqësitë duhet të shprehen në mënyrën e duhur e nuk duhet të përdoren dhunë apo dëmtime ndaj pronës për të shprehur mendimin, deputetët e kuvendit duhet të kenë mundësinë të përmbushin rolin e tyre në siguri të plotë. Të ulen tensionet e të shmangen sulmet”, u shpreh ai

Çfarë ndodhi dje?

Burgosja e deputetit Ervin Salianji ka risjell kaos në jetën parlamentare dhe politike në vendin tonë. Në hapje të seancës plenare nga kryetarja e Kuvendit, deputetët demokratë u mblodhën rreth foltores, ndërsa pjesa ku ulen ministrat u rrethua nga punonjësit e Gardës. Ndërkohë teksa Spiropali po lexonte vendimin për heqjen e mandatit të Salianjit, në një moment deputeti dhe kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi hodhi këmbën e karriges, e cila kaloi mbi kokën e kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali. Pas kësaj, opozita nxorri jashtë karriget e tyre dhe iu vunë flakën. Kreu i grupit të PD-së, Gazment Bardhi tha se janë aty jo për karriget e tyre por për të mbrojtur interesin publik. Ai shtoi se nuk kanë djegur mandatet, pasi nuk shmangen nga beteja e tyre.

silvio gonzato

Sondazh

Poll