Politike

Dënimi ndaj Salianjit/ Bardhi kërkon mbledhje urgjente të Këshillit të Mandateve: Veprimet e drejtësisë kanë krijuar një situatë alarmante të goditjes politike ndaj opozitës

Gjithashtu grupi i PD-së shton se këto veprime të organeve të drejtësisë, që cënojnë parimet bazë të shtetit të së drejtës, kanë krijuar një situatë alarmante të goditjes politike ndaj opozitës. 

27 Shtator 2024, 10:33 Nga M.B
Dënimi ndaj Salianjit/ Bardhi kërkon mbledhje urgjente të
Gazment Bardhi

TIRANA- Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, i është drejtuar me një shkresë kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, ku i kërkon mbledhje urgjente të Këshillit të Mandateve dhe Rregullores pas vendimit të Gjykatës së Apelit për dënimin me një vit burg të deputetit Ervin Salianji. Në shkresë thuhet se ky akt politik dhe që cenon themelet e shtetit demokratik, prek integritetin e Kuvendit të Shqipërisë dhe cenon mandatin e një deputeti të opozitës.

Po ashtu shtohet se në një procedurë ekstra ligjore, pa autorizim të Kuvendit, me një nxitim të pa shpjegueshëm, Prokuroria po ndjek procedurën për arrestimin e deputetit të opozitës. Gjithashtu grupi i PD-së shton se këto veprime të organeve të drejtësisë, që cënojnë parimet bazë të shtetit të së drejtës, kanë krijuar një situatë alarmante të goditjes politike ndaj opozitës. 

Sipas shkresës, në përputhje me nenin 73, pika 2 e Kushtetutës, dhe nenit 13 të Rregullores, kërkohet mbledhje urgjente e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, për të rivendosur autoritetin e Kuvendit të Shqipërisë, frenimin e akteve politike ndaj deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, dhe rikthimin e kushtetutshmërisë.

SHKRESA:

Me një akt hakëmarrës politik, Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm, me vendim të datës 26 Shtator 2024, ka urdhëruar burgusjen e një deputeti të Kuvendit të Shqipërisë, një zyrtari të opozitës, kolegut Ervin Salianji, për një krim të pakryer dhe për një cështje të fabrikuar nga segmente të caktuara të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë. Ky akt politik dhe që cenon themelet e shtetit demokratik, prek integritetin e Kuvendit të Shqipërisë dhe cenon mandatin e një deputeti të opozitës.

Po në një procedurë ekstra ligjore, pa autorizim të Kuvendit, me një nxitim të pa shpjegueshëm, Prokuroria po ndjek procedurën për arrestimin e deputetit të opozitës. Sipas nenit 73, pika 2, “Deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në cfarëdo llojë forme, apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa AUTORIZIMIN e Kuvendit”. Këto veprime të organeve të drejtësisë, që cënojnë parimet bazë të shtetit të së drejtës, kanë krijuar një situatë alarmante të goditjes politike ndaj opozitës. Dënimi pa ligj e prova i deputetëve të opozitës, duke shpërfillur autoritetin e Kuvendit të Shqipërisë, duke shkelur në mënyrë flagrante Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, duke mos arsyetuar masat represive ndaj deputetëve të opozitës, është akt i paprecedentë në një shtet demokratik.

Për këtë arsye, në përputhje me nenin 73, pika 2 e Kushtetutës, dhe nenit 13 të Rregullores, kërkojmë mbledhjen urgjente të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, për të rivendosur autoritetin e Kuvendit të Shqipërisë, frenimin e akteve politike ndaj deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, dhe rikthimin e kushtetutshmërisë.

gazment bardhi

Sondazh

Poll