Politike

Mbledhja e Kryesisë së PD-së/ Zhupa: Protesta e pandalshme dhe e qëndrueshme, një domosdoshmëri! Gjekmarkaj: Po t’i ndodhte PS-së, do të kishte reaguar i gjithë faktori ndërkombëtar

Ajo ka shtuar se nuk u  intereson karriga po nuk mbrojmë kushtetutën dhe të drejtat themelore të qytetarëve.

26 Shtator 2024, 22:24 Nga M.B
Mbledhja e Kryesisë së PD-së/ Zhupa: Protesta e pandalshme dhe e
Foto nga takimi

TIRANA- Në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Partisë Demokratike mësohet se janë zhvilluar diskutime për hapat e ardhshëm të opozitës. Kjo mbledhje erdhi pas vendimit të Gjykatës së Apelit për dënimin me një vit burg të deputetit Ervin Salianji. Në këtë mbledhje deputetja Ina Zhupa theksoi nevojën për një protestë të pandalshme dhe të qëndrueshme, duke e cilësuar atë si një domosdoshmëri.

Ajo ka shtuar se kanë një mision historik për ta mposhtur frikën e qytetarëve dhe për të qenë në krye të revoltës. Ajo ka shtuar se nuk u  intereson karriga po nuk mbrojmë kushtetutën dhe të drejtat themelore të qytetarëve.

Ndërsa deputeti Agron Gjekmarkaj e theksoi rëndësinë e një reagimi të menjëhershëm për situatën e Salianjit, duke kërkuar zhvillimin e diçkaje simbolike që nesër. Ai tha se, nëse Partia Socialiste do të kishte përjetuar një situatë të ngjashme kur ishte në opozitë, do të kishte pasur reagime të menjëhershme nga ndërkombëtarët.

Diskutimet:

Zhupa: Protesta e pandalshme dhe e qëndrueshme është një domosdoshmëri. Ne nuk protestojmë as për Salianjin, as për Sali Berishën, por për çdo qytetar që sot është më i frikësuar se kurrë. Frika mban diktaturat në këmbë, dhe sot po mbillet frika te shqiptarët. Ne kemi një mision historik për ta mposhtur frikën e qytetarëve dhe për të qenë në krye të revoltës. Këto fabrikime të tmerrshme, të ngjashme me ato të Enver Hoxhës, janë thikë mbi kokat e çdo shqiptari. Deputetët duhet të jenë në ballë, në parlament, në rrugë. Dënimi sot, duke krijuar precedentin e parë në vend me burg për kallëzim të rremë, tregon qartësisht arrogancën e pushtetit.

Arroganca do përballje, vendosmëri dhe qëndresë të palëkundur. Nuk na intereson karriga po nuk mbrojmë kushtetutën dhe të drejtat themelore të qytetarëve. Sot kemi marrë mesazhe pafund nga qytetarët. Nuk duhet të llogarisim numrat që do të jenë në protestën e parë ose të dytë, por duhet të llogarisim që të jemi të parët në betejë dhe qytetarët do na bashkohen. Kjo lidhet edhe me vendimin tonë politik për një qeveri teknike.

Gjekmarkaj: Të bëjmë diçka simbolike nesër, sepse po t’i ndodhte PS-së kjo kur ishte në opozitë, do të kishte reaguar i gjithë faktori ndërkombëtar. Ne jemi ende shumë të vakët me ndërkombëtarët. Më shumë se protesta, Ramës i dhemb kur reagojnë gazetat, shtypi, ndërkombëtarët. Prandaj, duhet ta përdorim edhe këtë formë të rëndësishme. Duhet të bëjmë një përpjekje të madhe me ndërkombëtarët, sepse dënimi politik do të thotë që kjo drejtësi e re nuk funksionon ashtu siç duhet.

pd

Sondazh

Poll