Politike

Shteti bektashi/ "Në harmoni me interesin kombëtar", Rama: Shkujdesja brutale në trajtimin e kësaj çështjeje, më bind se kjo ide duhet vënë në jetë

Sipas tij ata që dolën kundër krijimit të këtij shteti, nuk kanë thënë asnjë fjali mbi historinë dhe rolin e bektashinjve në fatet e kombit e të shtetit tonë.

25 Shtator 2024, 07:33 Nga r.ll
Shteti bektashi/ "Në harmoni me interesin kombëtar", Rama:
edi rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka bërë një reagim pas komenteve mbi krijimin e një shteti bektashi në Tiranë, ide të cilën ai e prezantoi në SHBA gjatë samitit të OKB.  Përmes një postimi në "X", Rama shkruan se kësaj here komentet e bëra pas shprehjes së kësaj ideje kanë kaluar kufijtë e "të gjitha fantazive dhe ligësive të pritshme". Sipas tij ata që dolën kundër krijimit të këtij shteti, nuk kanë thënë asnjë fjali mbi historinë dhe rolin e bektashinjve në fatet e kombit e të shtetit tonë.

Kjo lloj zhurme e krijuar, kryeministri shprehet se e bind më tej të vërë në jetë planin e menduar. Ai shkruan më tej se ky hap është në harmoni të plotë me interesin kombëtar, po edhe në shërbim të investimit për ruajtjen e për pasurimine e tolerancës e të harmonisë fetare, ku sipas tij bektashizmi ka meritën dhe rolin e vet të pazëvendësueshëm krahas tre besimeve të tjera.

"Ngritja e statusit të Kryegjyshatës Botërore në Shqipëri në nivelin e një entiteti sovran, jo vetëm do të ulte ndjeshëm kërcënimin real të tkurrjes së atij komuniteti deri në tretje në harkun e disa dekadave, po do të garantonte një vazhdimësi të qëndrueshme të ekzistencës së tij për breza të tërë.", shkruan ai ndër të tjera.

REAGIMI I RAMËS: 

Jam mësuar të lexoj e dëgjoj çudira pas çdo ideje të re apo projekti ndryshimi që kam shprehur apo paraqitur në tërë këto vite, po këtë herë çuditë e thëna a të shkruara fill pas shprehjes së idesë të krijimit të një entiteti sovran të Urdhërit Bektashi, brenda perimetrit të pronës së Kryegjyshatës Botërore në Tiranë, kanë kaluar kufijtë e të gjitha fantazive dhe ligësive të pritshme.

E vetmja gjë që nuk kam dëgjuar të thuhet nga kundërshtarët e zjarrtë të kësaj ideje është qoftë edhe një fjali me kuptim, mbi historinë dhe rolin e bektashinjve në fatet e kombit e të shtetit tonë, se mirë për sfidat e mbijetesës së Urdhërit Bektashi sot e gjithë ditën duket që as nuk do t’ia dijë askush nga ata që çfarë s’po nxjerrin prej goje!

Padija e skëterrshme dhe shkujdesja brutale në trajtimin e një çështjeje me kaq vlerë, ma përforcojnë bindjen se kësaj ideje i ka ardhur koha të vihet në jetë dhe se nevoja e këtij hapi është jo vetëm në harmoni të plotë me interesin tonë kombëtar, po edhe në shërbim të domosdoshmërisë së investimit tonë të vazhdueshëm për ruajtjen e për pasurimin e thesarit të paçmueshëm të tolerancës e të harmonisë fetare, ku bektashizmi ka meritën dhe rolin e vet të pazëvendësueshëm krahas tre besimeve të tjera.

Gjithësesi, nga ideja tek jetësimi i saj ka një kohë të tërë për t’u kthjelluar çdo gjë dhe një proces të tërë publik e legjislativ për t’u zhvilluar, kështu që nuk ka asnjë ngut e asnjë nevojë për polemika të kota.

Në ndërkohë ftesa ime për kundërshtarët e kaqshumëngutur të idesë është që të njihen me faktet dhe kontributet historike të Urdhërit Bektashi në punët e kombit e të fesë në Shqipëri, duke shpresuar se mbase kjo njohje do t’i ndihmojë për të parë të paktën diçka sa të thjeshtë aq edhe kuptimplotë. 

Ndryshe nga komunitetet e tjera, të cilat kanë avantazhin e natyrshëm të përkatësisë në komunitete shumë të mëdha me shtrirje globale - pra kanë edhe mundësi të mëdha mbështetjeje të pandërprerë në rrugën e tyre - komuniteti bektashi është si të thuash “jetim” në këtë këndvështrim. Prandaj afërmendsh që ngritja e statusit të Kryegjyshatës Botërore në Shqipëri në nivelin e një entiteti sovran, jo vetëm do të ulte ndjeshëm kërcënimin real të tkurrjes së atij komuniteti deri në tretje në harkun e disa dekadave, po do të garantonte një vazhdimësi të qëndrueshme të ekzistencës së tij për breza të tërë.

Ndryshe nga komunitetet e tjera, të cilat kanë avantazhin e natyrshëm të përkatësisë në komunitete shumë të mëdha me shtrirje globale - pra kanë edhe mundësi të mëdha mbështetjeje të pandërprerë në rrugën e tyre - komuniteti bektashi është si të thuash “jetim” në këtë këndvështrim. Prandaj afërmendsh që ngritja e statusit të Kryegjyshatës Botërore në Shqipëri në nivelin e një entiteti sovran, jo vetëm do të ulte ndjeshëm kërcënimin real të tkurrjes së atij komuniteti deri në tretje në harkun e disa dekadave, po do të garantonte një vazhdimësi të qëndrueshme të ekzistencës së tij për breza të tërë.

edi rama shteti bektashi ne tirane

Sondazh

Poll