Sport

Futbolli i jep lamtumirën e fundit me shumë respekt suedezit Sven-Goran Eriksson!...

Pjesë e homazheve, në një ceremonie prej 600 personalitetesh, ishin ish-kryeministra, drejtues klubesh, lojtarë dhe ish-futbollistë…

13 Shtator 2024, 17:02 Nga DOSJA

 

Futbolli i jep lamtumirën e fundit me shumë respekt suedezit

SUEDI - Në një ceremoni prej 600 personalitetesh, bota e futbollit i dha lamtumirën e fundit trajnerit legjendar suedez, Sven-Goran Eriksson.

Funerali u zhvillua në qytetin rural të Torsby, pranë kufirit me Norvegjinë dhe u ndoq nga qindra njerëz në një ekran gjigant të vendosur jashtë kishës, ku ndodhej trupi i 76-vjeçarit.

Pjesë e homazheve ishin kryeministra, drejtues klubesh, lojtarë dhe ish-futbollistë, teksa në nderim të tij, kombëtarja angleze dhe ajo suedeze luajtën me shirit të zi në krah ndeshjet e Nations League.

Pjesë e kësaj ceremonie ishte edhe legjenda David Beckham, i cili ishte kapiten i Anglisë nën drejtimin e Eriksson. Ai e udhëhoqi Anglinë në çerekfinalet e Kupës së Botës 2002 dhe 2006, dhe në Kampionatin Evropian 2004, duke menaxhuar një brez të artë lojtarësh që përveç Beckham përfshinte yje si Frank Lampard, Wayne Rooney dhe Steven Gerrard.

Futbolli i jep lamtumirën e fundit me shumë respekt suedezit

Një trajner i qetë, por i vendosur, Eriksson udhëhoqi skuadra në Suedi, Portugali dhe Itali drejt trofeve të mëdha në vitet 1980 dhe 1990, përpara se të merrte detyrën e trajnerit të kombëtares së Anglisë në 2001.

Ai filloi të ndërtonte reputacionin e tij ndërkombëtar, kur udhëhoqi klubin suedez IFK Gothenburg drejt titullit të Kupës UEFA në 1982 dhe u shpall nënkampion si trajner i Benficas për të drejtuar më pas klubet italiane të Romës, Fiorentinës, Lazios dhe Sampdorias.

Eriksson u largua nga stoli i kombëtares së “Tre Luanëve” në vitin 2006, për të kaluar si trajner i Manchester City dhe Leicester City, më pas Meksikës dhe Bregut të Fildishtë dhe klubeve në Kinë dhe Filipine.

Sven-Goran Eriksson njoftoi në janar se vuante nga kanceri i pankreasit, sëmundje me të cilën humbi edhe betejën për jetën.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll