Politike

Komisioni Antikorrupsion krijon përçarje në PD/ Baçi: Do marrim pjesë. Bardhi: S'kemi ndryshuar mendim

Baçi shpreh se ky komision ka edhe mbështetjen e ndërkombëtareve dhe nuk mund të bojkotohet.

5 Shtator 2024, 11:26 Nga I.A
Komisioni Antikorrupsion krijon përçarje në PD/ Baçi: Do
Bardhi dhe Baçi

TIRANË- Bojkoti në Komisionin Antikorrupsion duket se ka krijuar përplasje në Partinë Demokratike. Deputeti Luan Baçi deklaroi në emisionin ‘Repolitix’Tv se Partia Demokratike do të marrë pjesë në mbledhjet e komisionit Antikorrupsion me nisjen e sesionit të ri parlamentar. Baçi shpreh se ky komision ka edhe mbështetjen e ndërkombëtareve dhe nuk mund të bojkotohet.

“Kur ngrihen komisione në parlament dhe kur janë të mbështetura nga ndërkombëtarët ne nuk mund ti bojkotojmë dhe të lëmë PS të bëj si pas qejfit. Opozita për këtë punë është, nëse i bie me këtë logjike po në Kuvend pse të shkojmë ne! Nuk është një marrëveshje por detyrë që ne kemi për ta bërë si deputet në parlament. Në shkojmë dhe në komisione të përhershme parlamentare ne nuk kemi shumicë votash por ne marrim pjesë. Do të marrim pjesë në komision. Ne ishim ata që kemi kërkuar që ky komision çfarë atributesh do të ketë, çfarë do të reformojë. Pasi është diskutuar në struktura dhe me specialistë mund të ketë një vendimmarrje për të marrë pjesë në komision për të mos lënë mazhorancën që të bëjë çfarë të dojë," tha Baçi. 

Por, qëndrim totalisht ndryshe ka deklaruar kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi, duke theksuar se nuk kanë ndryshuar qëndrim për Komisionin Antikorrupsion.

“Nuk ka asnjë ndryshim qëndrimi dhe as një diskutim të ri mbi këtë çështje”, tha Bardhi për Report Tv.

Komisioni ka 11 anëtarë, 6 nga mazhoranca dhe 5 nga opozita. Anëtarët e këtij komisioni janë kryetarët dhe zv.kryetarët e 4 komisioneve të përhershme parlamentare dhe ata të Këshillit të Integrimit Evropian.

luan baci gazment bardhi

Sondazh

Poll