Politike

Manastirliu prezanton projektligjin për hapjen e Universitetit spanjoll në Gjirokastër: Alternativë e re studimi me standarde europiane!

Gjatë fjalës së saj ministrja e arsimit, Ogerta Manastirliu u shpreh se ky projekt synon të rrisë nivelin e Arsimit të Lartë në Shqipëri dhe të prezantojë një model të ri studimi, që është edukimi në distancë.

23 Korrik 2024, 13:40 Nga N.F

Manastirliu prezanton projektligjin për hapjen e Universitetit spanjoll

Manastirliu

TIRANË- Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik ka diskutuar ditën e sotme në lidhje me projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Universitetit Kombëtar të Arsimit në Distancë, institucion publik i arsimit të lartë, i regjistruar dhe i licencuar në Spanjë, “Për hapjen e Universitetit Kombëtar të Arsimit në Distancë, Kampusi në Gjirokastër”. Gjatë fjalës së saj ministrja e arsimit, Ogerta Manastirliu u shpreh se ky projekt synon të rrisë nivelin e Arsimit të Lartë në Shqipëri dhe të prezantojë një model të ri studimi, që është edukimi në distancë.


“Nuk bëhet fjalë thjesht për një filial të një universiteti, por për sjelljen në vendin tonë të një institucioni që konsiderohet ekselent për sa i përket alternativës së studimit. Ky projekt synon të rrisë nivelin e Arsimit të Lartë në Shqipëri dhe të prezantojë një model të ri studimi, që është edukimi në distancë.

Përmes kësaj marrëveshje, synojmë të zgjerojmë dimensionin europian të Arsimit të Lartë në vendin tonë, duke sjellë në Shqipëri një universitet të këtij niveli që do t’i shërbejë studentëve shqiptarë, por edhe rajonit. Ky është vendi i parë në rajon ku hap degë Universiteti i Studimeve në Distancë i Spanjës,” tha Manastirliu.

Ajo theksoi se ky projekt është një hap i rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të universiteteve shqiptare. Ajo nënvizoi se marrëveshja do të sjellë një ofertë të re akademike, mundësi për avancim akademik dhe punësim për të rinjtë shqiptarë. Marrëveshja është në përputhje të plotë me strategjinë kombëtare të arsimit dhe programin politik të Këshillit të Ministrave, dhe është një dëshmi e përkushtimit të qeverisë shqiptare për të siguruar një arsim të lartë cilësor dhe gjithëpërfshirës.

 “Programet e studimit që do të ofrohen nga filiali i UNED në Gjirokastër do të kenë të njëjtat standarde si ato të ofruara në kampuset e tjera në Europë dhe Spanjë. Rregullat dhe procedurat për hapjen, riorganizimin, gjuhën e studimit, zgjatjen e programeve të studimit, si edhe aspektet e tjera rregullatore, bëhen në funksion të kësaj marrëveshjeje, duke u bazuar në aktet e brendshme të UNED.

Në aktet e krijimit të UNED parashikohen edhe kriteret e pranimit dhe regjistrimit të studentëve. Akreditimi institucional dhe vlefshmëria e studimeve të ofruara nga UNED do të njihen automatikisht nga institucionet e Republikës së Shqipërisë, duke përfshirë matrikulimin dhe njohjen e diplomave,” shtoi Manastirliu.

 

manastirliu universiteti spanjoll në gjirokastër

Sondazh

Poll