Politike

Berisha “non grata” në Britani/ Ambasadori Smith: Vijojmë të jemi partner afatgjatë i Shqipërisë

King-Smith refuzoi që të komentonte për shpalljen non grata të kreut të PD-së Sali Berisha, por theksoi se Anglia vazhdon të jetë partner afatgjatë i Shqipërisë

18 Korrik 2024, 22:18 Nga I.A
Berisha “non grata” në Britani/ Ambasadori Smith: Vijojmë
Alastair King Smith

TIRANË- Ambasadori britanik Alastair King Smith u shpreh se Britania do një Shqipëri ku të lulëzojë demokracia, dhe të zhvillohet si demokraci pluraliste. Në një intervistë për emisionin “Real Story” në ABC News, King-Smith refuzoi që të komentonte për shpalljen non grata të kreut të PD-së Sali Berisha, por theksoi se Anglia vazhdon të jetë partner afatgjatë i Shqipërisë

"Nuk ndaj të njëjtin mendim me ju, megjithëse është e vërtetë që kemi një çështje specifike. Faktikisht, Mbretëria e Bashkuar, unë, Ambasada Britanike kanë mbajtur gjithnjë lidhje me të gjithë spektrin politik, me të gjitha pjesët e Partisë Demokratike dhe partive të tjera në opozitë, si dhe me Partinë Socialiste, dhe gjithmonë kemi qenë të mendimit se MB-ja duhet të angazhohet dhe të ketë këndvështrim të paanshëm dhe të ekuilibruar të politikës duke u munduar të mbështesim demokracinë në vend. Do të ketë gjithnjë dallime të këndvështrimeve mbi mbështetjen e demokratizimit. Si Mbretëri e Bashkuar jemi të qartë që duam të shohim demokracinë të lulëzojë, të zhvillohet si demokraci pluraliste, dhe duam të kemi Parlament të efektshëm dhe funksional me opozitë të efektshme që është e aftë t’i kërkojë llogari qeverisë. Kjo do të vijojë të jetë qasja jonë jo vetëm në Shqipëri, por mbarë botën. Por në këtë kuadër, duhet me doemos të ketë edhe llogaridhënie. Po, kjo është çështje specifike. Ne kemi shprehur qartë që llogaridhënia është shumë e rëndësishme, qoftë lidhur me kriminalitetit apo korrupsionin, dhe kjo është politika që ke kemi dhe zbatojmë. Jemi me të vërtetë të kënaqur që Komisioni i Posaçëm e Apelit për Imigracionin mori vendim në mbështetje të pozicionit të Qeverisë sonë për këtë çështje. Besoj e kuptoni që përparësia e qeverisë sonë është siguri dhe sigurimi i Mbretërisë së Bashkuar dhe qytetarëve në Mbretërinë e Bashkuar, dhe ne do të mbrojmë me forcë çdo vendim të marrë në këtë kuadër. Nga ana tjetër, ne vijojmë të jemi partner afatgjatë i Shqipërisë për mbështetjen e llogaridhënies dhe për veprimet kundër kriminalitetit dhe korrupsionit dhe do të vazhdojmë të veprojmë në të njëjtën mënyrë. Gjithashtu, do të përforcojmë Prokurorin e Posaçëm, Policinë e Shtetit dhe Agjencitë e tjera ligj zbatuese me qëllim që llogaridhënia dhe drejtësia të bëhen realitet për qytetarët," tha King-Smith.

alastair king smith

Sondazh

Poll