Aktualitet

"Duam drejtësi"/ Pas nisjes së hetimeve nga SPAK, reagojnë familjarët e Aleks Nikës: Kemi paditur Bashën dhe Berishën

Xhaxhai i Aleks Nikës, Mark Nika është shprehur se SPAK duhet të bëjë drejtësi për 21 janarin dhe të hetojë çështjen pa u ndikuar nga politika.

16 Korrik 2024, 11:35 Nga r.ll
"Duam drejtësi"/ Pas nisjes së hetimeve nga SPAK,
aleks nika

TIRANË- Pas nisjes së hetimeve nga SPAK për çështjen e "21 janarit" kanë reaguar familjarët e Aleks Nikës që humbi jetën në demonstratat e asaj kohe. Xhaxhai i Aleks Nikës, Mark Nika ka folur për News24, ku është shprehur se SPAK duhet të bëjë drejtësi për 21 janarin dhe të hetojë çështjen pa u ndikuar nga politika. Nika shprehet se kanë paditur ish-kryeministrin, Sali Berisha, ish-ministrin e Brendshëm të asaj kohe, Lulzim Bashën dhe ish-kreun e Gardës, Ndrea Prendin.

"Besojmë se tashmë SPAK duhet të bëjë drejtësi për 21 Janarin. SPAK duhet të hetojë nga fillimi deri në fund 21 Janarin me objektivitet dhe i pandikuar nga politika. SPAK nisi hetimin pas urdhrit nga Gjykata e Lartë dhe Gjykata Evropiane. Kërkojmë drejtësi dhe nuk do të dorëzohemi deri në fund. SPAK duhet ta hetojë sa më shpejt 21 Janarin, provat janë aty. Duam drejtësi, të hetohet e gjithë kupola e shtetit, 21 janarin është krim shtetëror. Kemi paditur ish-kryeministrin, Sali Berisha në atë kohë, ish ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha dhe ish kreun e Gradës, Ndrea Prendin. Nëse nuk bëhet drejtësi për 21 janarin, sistemi i drejtësisë është i rënë. Thirrje politikës mos të ndikojë te drejtësia. Kemi besim te SPAK”, tha Mark Nika.

Pak më herët sot, Prokuroria e Posaçme njoftoi se ka nisur hetimet për çështjen "21 janari". SPAK njoftoi se ka regjistruar procedimin penal nr. 138, për veprat penale, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Shpërdorim i detyrës” dhe  “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, të kryera në bashkëpunim. Ky procedim penal është regjistruar për ngjarjen e ndodhur më 21 janar të 2011, ku gjatë një mitingu të organizuar nga opozita politike e asaj kohe përpara Kryeministrisë, është vrarë shtetasi Aleks Nika, si dhe janë plagosur shtetasit Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa. Në njoftimin zyrtar thuhet se, në rastin e "21 janarit" hetimi i veprave penale është në kompetencën lëndore të Prokurorisë së Posaçme, pasi dyshohet se veprat penale mund të jenë kryer nga ish-funksionarë të lartë shtetërorë, gjatë ushtrimit të detyrës.

 

spak mark nika aleks nika ceshtja e 21 janarit

Sondazh

Poll