Aktualitet

Çështja "21 janari" regjistrohet në SPAK, nisin hetimet për tre vepra penale të kryera

Në njoftimin zyrtar thuhet se, në rastin e "21 janarit" hetimi i veprave penale është në kompetencën lëndore të Prokurorisë së Posaçme, pasi dyshohet se veprat penale mund të jenë kryer nga ish-funksionarë të lartë shtetërorë, gjatë ushtrimit të detyrës.

16 Korrik 2024, 10:39 Nga r.ll
Çështja "21 janari" regjistrohet në SPAK, nisin
SPAK

TIRANË- Prokuroria e Posaçme ka nisur hetimet për çështjen "21 janari". SPAK ka njoftuar se ka regjistruar procedimin penal nr. 138, për veprat penale, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Shpërdorim i detyrës” dhe  “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, të kryera në bashkëpunim.

Ky procedim penal është regjistruar për ngjarjen e ndodhur më 21 janar të 2011, ku gjatë një mitingu të organizuar nga opozita politike e asaj kohe përpara Kryeministrisë, është vrarë shtetasi Aleks Nika, si dhe janë plagosur shtetasit Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa.

Në njoftimin zyrtar thuhet se, në rastin e "21 janarit" hetimi i veprave penale është në kompetencën lëndore të Prokurorisë së Posaçme, pasi dyshohet se veprat penale mund të jenë kryer nga ish-funksionarë të lartë shtetërorë, gjatë ushtrimit të detyrës.

NJOFTIMI I SPAK:

Nisur nga interesimi i vazhduar i medias dhe publikut njoftojmë se, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në datën 15.07.2024 ka regjistruar procedimin penal nr.138, të vitit 2024, për veprat penale:

“Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer në bashkëpunim, kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, e parashikuar nga neni 79 gërmat “dh” dhe “ë”, si dhe 25 të Kodit Penal.
“Shpërdorim i detyrës”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal;
“Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 301 dhe 25 të Kodit Penal.

Ky procedim penal është regjistruar në lidhje me ngjarjen e datës 21.01.2011, të ndodhur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në Tiranë, ku gjatë një mitingu të organizuar nga opozita politike e asaj kohe përpara Kryeministrisë, është vrarë shtetasi Aleks Nika, si dhe janë plagosur shtetasit Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa.

Regjistrimi i këtij procedimi penal është bërë duke vlerësuar konkluzionet e vendimit Nr. 00-2024-1222 i Vendimit (69), datë 12.03.2024 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë (depozituar në sekratarinë e Prokurorisë së Posacme në datën 11.07.2024), si dhe duke qenë para detyrimit ligjor për zbatimin e këtij vendimi, me të cilin Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është urdhëruar për të regjistruar procedimin penal për kallëzimin e datës 16.02.2023, të shtetases Rajmonda Nika, si dhe duke vlerësuar dhe mbajtur parasysh, sipas vendimit të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, prononcimin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), (vendimi datë 14 Nëntor 2023 – çështja Nika kundër Shqipërisë), lidhur me rastin konkret, ku GJEDNJ në përfundim të çështjes ka konstatuar – shkelje të nenit 2, të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si në aspektin material ashtu dhe në atë procedural.

Në rastin konkret hetimi i veprave penale të parashikuara nga nenet 79, gërmat “dh” dhe “ë” e 25, 248 e 25, si dhe 301 e 25 të Kodit Penal, është në kompetencën lëndore të Prokurorisë së Posaçme, në bazë të nenit 75/a, gërma “ç” të Kodit të Procedurës Penale, pasi dyshohet se veprat penale mund të jenë kryer nga ish-funksionarë të lartë shtetërorë, gjatë ushtrimit të detyrës.

Duke vlerësuar informacionet e përftuara dhe të administruara se Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ishte duke kryer veprimet hetimore në lidhje me procedimin penal Nr.285, vitit 2011, (i rifilluar), aktet e të cilit bëjnë fjalë për ngjarjen e ndodhur më datën 21.01.2011, për vrasjen e shtetasit Aleks Nika dhe plagosjen e shtetasve Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa, si dhe pas njoftimit të datës 15.07.2024 të bërë nga prokurori i çështjes, në mbështetje të neneve 29 pika 3 dhe 75/a, me vendimin e datës 15.07.2024, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka vendosur ndër të tjera:

Përcaktimin e kompetencës lëndore për hetimin e procedimit penal nr.285, të vitit 2011, të regjistruar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, duke caktuar si prokurori kompetente Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Kërkimin e akteve të procedimit penal Nr.285, të vitit 2011, nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.

Njoftimin me këtë vendim të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, me qëllim dërgimin prej saj të akteve të procedimit penal Nr.285, të vitit 2011.

Më 5 korrik të këtij viti Gjykata e Lartë vendosi që Prokuroria e Poasaçme të hetojë çështjen e 21 janarit. Sipas vendimit, Kolegji çmon të evidentojë, me këtë rast, se në konformitet me përcaktimet e nenit 46 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, Palët Kontraktuese (ku përfshihet edhe Shqipëria) kanë detyrimin e konformimit ndaj vendimeve përfundimtare të Gjykatës (GJEDNJ), në çdo çështje ku ato janë palë, përmes ekzekutimit të tyre.

Në vendim thuhej se një nga efektet e kësaj procedure është se në rastet kur GJEDNJ konstaton shkelje, shteti i paditur ka detyrimin ligjor jo vetëm për tu paguar personave përkatës shumat e dhëna si shpërblim i drejtë, por edhe për të zgjedhur masat e përgjithshme dhe/ose individuale më të përshtatshme që duhet të ndërmerren për t’i dhënë fund shkeljes së konstatuar nga GJEDNJ.

Më tej shtohet se duke pasur parasysh sa u tha më lart, autoritetet duhet të vazhdojnë (për aq sa kjo është e mundur) përpjekjet e tyre që synojnë zbardhjen e rrethanave të vdekjes së Aleks Nikës dhe identifikimin dhe ndëshkimin e personave përgjegjës, aty ku është e përshtatshme.

ceshtja 21 janari spak

Sondazh

Poll