Politike

"Penguan ekzekutimin e vendimit të gjykatës!" Vendimi i Kushtetueses për mandatin e Xhaçkës, Bardhi: Kallëzim penal ndaj përgjegjësve

Ai ka shtuar se Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike dhe deputetët e opozitës u rreshtuan edhe një herë në mbrojtje të kushtetutshmërisë dhe interesit publik. 

10 Korrik 2024, 17:16 Nga M.B
"Penguan ekzekutimin e vendimit të gjykatës!" Vendimi i
Gazment Bardhi

TIRANA- Kreu i Grupit Parlamnentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me mandatin e deputetes Olta Xhaçka ku u vendos se mandati në fjalë duhet të shqyrtohet pa vonesa nga kjo gjykatë dhe Kuvendi është i detyruar ta dërgojnë atë sa më shpejt.

Bardhi në reagimin e tij shprehet se vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese është edhe një aktakuzë penale për të gjithë deputetët që me vetëdije dhe për motive politike penguan ekzekutimin e vendimit të gjykatës. Ai ka shtuar se Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike dhe deputetët e opozitës u rreshtuan edhe një herë në mbrojtje të kushtetutshmërisë dhe interesit publik. 

Reagim i Bardhit:

Edi Rama keqpërdori deputetët e tij për ti dhënë mbrojtje politike bashkëpunëtorës së tij të afërt Olta Xhaçka, duke vendosur për herë të parë standardin e moszbatimit të një vendimi konkret të Gjykatës Kushtetuese. Pasi në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin e bëri ministren e tij investitore strategjike, në një pronë publike të grabitur me dokumente të fallsifikuara, Edi Rama i dha asaj edhe statusin “e paprekshme” nga drejtësia.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike dhe deputetët e opozitës u rreshtuan edhe një herë në mbrojtje të kushtetutshmërisë dhe interesit publik. Ndërkohë u provua edhe njëherë se Edi Rama dhe deputetët e tij u rreshtuan në krah të interesit privat të oborrit të Edi Ramës, që pasuritë publike i kanë shndërruar në plaçkë për veten e tyre.

Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese është edhe një aktakuzë penale për të gjithë deputetët që me vetëdije dhe për motive politike penguan ekzekutimin e vendimit të gjykatës. Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, po përgatit kallëzim penal ndaj të gjithë përgjegjësve që për më shumë se 1 vit kanë penguar ekzekutimin e këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese.

gazment bardhi

Sondazh

Poll