Politike

Kërkuan ndryshimin e trupës gjykuese, Gjykata e Lartë rrëzon kërkesën e avokatëve të Berishës dhe Malltezit

Në kërkesën e avokatëve ata kanë kërkuar ndrushimin e trupës së gjykimit të përbërë nga Sandër Simoni, Ilir Panda dhe Sokol Binaj.

10 Korrik 2024, 16:18 Nga N.F
Kërkuan ndryshimin e trupës gjykuese, Gjykata e Lartë rrëzon
Foto ilustruese

TIRANË- Gjykata e Lartë ka marrë vendimin ditën e sotme për të rrëzuar kërkesën e paraqitur nga avokatët e liderit të opozitës Sali Berishës dhe dhëndërit të tij Jamarbër Malltezit. Në kërkesën e avokatëve ata kanë kërkuar ndrushimin e trupës së gjykimit të përbërë nga Sandër Simoni, Ilir Panda dhe Sokol Binaj.

Ndërkohë sot kjo kërkesë është rrëzuar ndërsa vendimi u mor nga gjyqtari Artur Kalaja, në seancën që nisi në orën 15:00. Trupa do shqyrtonte kërkesën për heqje të masës shtrënguese të sigurisë “arrest në shtëpi” vendosur ndaj Berishës e Malltezit. Mbrojtja e të dy palëve kërkoi përjashtimin e tre gjyqtarëve me argumentin se ata kanë shqyrtuar një kërkesë të tillë më parë.

Berisha akuzohet për korrupsion, së bashku me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi të cilët i kanë kundërshtuar akuzat. Më herët, Sali Berisha ka refuzuar masat e dhëna nga SPAK, atë të detyrimit të paraqitjes dhe të ndalimit të daljes jashtë shtetit, duke i konsideruar masat si antikushtetuese. Pas moszbatimit të këtyre masave, Struktura e Posaçme ashpërsoi masën e sigurisë për Berishën, duke e lënë në arrest shtëpie. Gjykata e Posaçme urdhëroi Berishën të mos largohet nga banesa e tij dhe të mos komunikojë me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë me të në të njëjtën banesë, ndërsa për zbatimin e kësaj mase ngarkoi SPAK-un dhe shërbimet e policisë gjyqësore.

 

gjykata e lartë berisha malltezi

Sondazh

Poll