Politike

Ndarja nga jeta e Kadaresë/ Berisha: Dielli perëndoi përgjithmonë për gjeniun botëror të letrave

Po ashtu Berisha thekson se në vitin ‘90 Ismail Kadare ishte një avokat i lirive dhe të drejtave të njeriut dhe hapjes së Shqipërisë.

1 Korrik 2024, 12:01 Nga I.A
Ndarja nga jeta e Kadaresë/ Berisha: Dielli perëndoi
Sali Berisha

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka reaguar pas ndarjes nga jeta të shkrimtarit më të madh shqiptar Ismail Kadare. Berisha me anë të një postimi në Facebook e ka quajtur Kadarenë si gjeniun botëror të letrave shqipe. Po ashtu Berisha thekson se në vitin ‘90 Ismail Kadare ishte një avokat i lirive dhe të drejtave të njeriut dhe hapjes së Shqipërisë.

Postimi i Plotë: 

Dielli perëndoi përgjithmonë për gjeniun botëror të letrave, Ismail Kadare! Sot mort, zi dhe dhimbje për mbarë kombin shqiptar. Ismail Kadare, gjeniu botëror i letrave shqipe, dhe njërit prej shkrimtarëve më të mëdhenj të kohës, mbylli sytë përgjithmonë për të mbetur për jetë i pavdekshëm në olimpin e veprave të tij.

Laurat i çmimeve me prestigjoze të letrave si Man Booker, Prince des Asturies, Jerusalem Prize, veprat e Ismail Kadares u përkthyen në rreth 45 gjuhë të botës. Në kohërat më të errëta të regjimit hoxhist kur me një varg apo poezi mund të hapje varrin tënd, me gjithë konformizmin që kishte si alternativen me te mire burgun dhe internimin, Ismail Kadare arriti të dalë nga shtrati i Prokustit me vepra si “Pallati i Ëndrrave” etj. për të cilat regjimi e censuroi për vite të tëra.

Në vitin ‘90 Ismail Kadare ishte një avokat i lirive dhe të drejtave të njeriut dhe hapjes së Shqipërisë. Ai pas largimit nga Shqipëria, nga mërgimi në Paris,  mbështeti Lëvizjen Studentore dhe Revolucionin Demokratik që përmbysi diktaturën komuniste në Shqipëri. Duke u përulur me nderimin më të madh dhe mirënjohjen më të thellë para kujtimit dhe veprës të ndritur të Ismail Kadares, shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera familjes së tij të nderuar miqve, të afërmëve dhe lutem së bashku me ta që shiprti i madh i tij të prehet në paqen e merituar. Amin! #sb

Kadare ka ndërruar jetë në moshën 88-vjeçare mëngjesin e sotëm në Spitalin Universitar Nënë Tereza si pasojë e arrestit kardiak. Ai është nominuar 15 herë për çmimin Nobel në Letërsi, ndërsa është nderuar me disa çmime kombëtare dhe ndërkombëtare. Kadare konsiderohet nga disa si një nga shkrimtarët dhe intelektualët më të mëdhenj të shekujve 20 dhe 21, dhe si një zë universal kundër totalitarizmit.

sali berisha ismail kadare

Sondazh

Poll