Sport

Leo Messi, 37-vjetori... me tre yje

Kapiteni argjentinas i shuan qirinjtë sot në një kontekst të favorshëm për të fituar një tjetër Copa América

24 Qershor 2024, 10:00 Nga DOSJA
Leo Messi, 37-vjetori... me tre yje

SHBA - Sot, 24 qershori, nuk është vetëm dita e Shën Gjonit në Spanjë, por në Argjentinë është një ditë e veçantë për të gjithë dashamirët e futbollit.

Është dita në të cilën Lionel Messi mbush ditëlindjen, në këtë rast 37 vjeç. Dhe këtë e bën në një kontekst shumë të ndryshëm nga vitet e tjera, në të cilat ka shuar qirinj në mes të një grumbullimi të kombëtares së Argjentinës. Këtë herë e bën me tre yjet në gjoks dhe me çlirimin e të qenit kampion bote.

Kapiteni i Albicelestes do të festojë ditëlindjen para ndeshjes së nesërme kundër Kilit në ditën e dytë të këtij Copa América, e cila është kthyer në sfidën e radhës të Messit në nivel kombëtar. Një sfidë që mund të lartësojë konsideratën e tij historike, duke arritur me vendin e tij diçka që asnjë kombëtare nuk mund ta fitonte në kontekstin amerikan: Copa América-Botëror-Copa América.

Çuditërisht, Leo Messi arrin në këtë ditëlindje të 37-të në prag të një ndeshjeje kundër rivalit të tij, Kilit, i cili i shkatërroi dy tituj të Copa América (2015 dhe 2016) në dy finale, që Albiceleste humbën me penallti në të dyja rastet dhe pas 0-0 në fund të çdo ndeshje.

Nesër do të jetë një histori tjetër, me një Argjentinë të lançuar si kampione e gjithçkaje dhe një skuadër kiliane që është rrënuar dhe po e kalon të vështirë ndryshimin e brezave.

Jeta ka ndryshuar dhe ky 37-vjetor do të jetë një situatë shumë më e favorshme për Messin, i cili mund të ketë horizontin për të luajtur në Botërorin e tij të gjashtë në moshën 39-vjeçare. Por kjo do të jetë një çështje për më vonë. Për momentin, Kupa është një sfidë e re për Messin dhe Argjentinën e tij.

Lioneli, i cili në fotomontazhin që shihni më sipër po shuan qirinjtë në një grumbullim të kombëtares së fundmi, gjatë gjithë kësaj Kupe është i shoqëruar nga e gjithë familja e tij, përfshirë tre fëmijët dhe bashkëshorten Antonela.

Plus, ka prindërit dhe vëllezërit e motrat e tij. Kapiteni i kombëtares së Argjentinës po shijon si asnjëherë më parë kombëtaren dhe familja e tij nuk heziton të udhëtojë nga Miami, vendbanimi i tij aktual.

Urime, Leo!

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll