Politike

Floriana Garo: PD dënon dhunën e gardistëve në Kuvend, me urdhër të Lindita Nikollës

Në deklaratë thuhet se PD dënon dhunën duke e cilësuar si një përpjekje e qeverisë për të frikësuar gazetarët.

31 Maj 2024, 14:34 Nga S.B
Floriana Garo: PD dënon dhunën e gardistëve në Kuvend, me
Floriana Garo

TIRANË- Zëdhënësia e Partisë Demokratike Floriana Garo ka dhënë një deklaratë në lidhje me incidentin e ndodhur ditën e djeshme, ku gardisti urdhëron gazetarët të dalin nga salla e Kuvendit. Në deklaratë thuhet se PD dënon dhunën duke e cilësuar si një përpjekje e qeverisë për të frikësuar gazetarët.

Garo shprehet se urdhri i dhënë nga Lindita Nikolla është anti-media dhe se ata zgjedhin kronikat e gatshme dhe jo raportimin e drejtpërdrejtë. Garo u bën thirrje organizatave të lirisë së shtypit të reagojnë, si dhe shprehet se PD dënon çdo përpjekje që kufizon lirinë e zërave që nuk pajtohen me qeverinë.

Gjithashtu PD, denoncon thirrjen e Autoritetit të Medias Audiovizive pas një incidenti në protestën e opozitës të martën. Sipas Garos është hera e parë që AMA reagon dhe kjo dëshmon për përdorimin e pastër politik nga pushteti të një institucioni publik.

"Partia Demokratike dënon dhunën verbale të gardistëve ndaj gazetarëve dje në Kuvendin e Shqipërisë, dhe e konsideron pjesë të përshkallëzimit malinj kundër lirisë së shtypit në Shqipëri dhe përpjekjeve të qeverisë për të frikësuar gazetarët. Urdhri i Lindita Nikollës, i zbatuar me verbëri dhe në kapërcim të tagrit të tyre nga gardistët, është pjesë e skenarit të përhershëm anti-media dhe e fshehjes së aktivitetit qeveritar, duke zgjedhur kronikat e gatshme dhe kasetat për redaksitë në vend të transparencës.

U bëjmë thirrje organizatave vendase dhe ndërkombëtare të lirisë së shtypit të reagojnë, dhe këtë e bën më urgjent fakti se pasiguria për jetën e personave me aktivitet publik është rritur së tepërmi, siç u pa në rastin e goditjes së avokatit të liderit të opozitës, Sokol Mëngjesi. Qeveria Rama konsideron si opozitar dhe armik këdo që mendon ndryshe dhe synon goditjen e tyre.

Ne jemi në krah të gazetarëve në krye të detyrës dhe të kërcënuar për shkak të saj, dhe dënojmë çdo përpjekje për të kufizuar lirinë e zërave që nuk pajtohen me qeverinë. Fakti që renditja e lirisë së shtypit bie vit pas viti në raportet ndërkombëtare të organizatave të pavarura, dhe se pavarësisht kësaj qeveria vijon me shkeljet, dëshmon se rastet nuk janë rastësi por strategji qeveritare me qëllim heshtjen e së vërtetës. Nga ana tjetër, përdorimi i gazetarëve për qëllime të bosëve të tyre të lidhur me qeverinë, në role që nuk kanë të bëjnë me gazetarinë është i dënueshëm.

Partia Demokratike denoncon si jashtë tagrit, dhe si një akt të pastër politik, thirrjen e Autoritetit të Medias Audiovizive pas një incidenti në protestën e opozitës të martën. Është hera e parë që AMA reagon dhe kjo dëshmon për përdorimin e pastër politik nga pushteti të një institucioni publik. Reagimi jashtë tagrit të AMA, që është monitorimi etik i hapësirës audiovizive dhe dhënia apo revokimi i licencave, është një mjerim më vete dhe dëshmon gatishmërinë për t’i shërbyer pushtetit dhe pjesëmarrje në orkestrën anti-opozitare," tha Garo.

floriana garo

Sondazh

Poll