Sport

‘Final Four’/ Ulet 'perdja'... sot, Partizani - Egnatia, mësohet kampionia e Shqipërisë

Përveç shpërblimeve financiare të FSHF-së, skuadra që do të shpallet kampione e Shqipërisë do të marrë edhe 260 mije euro nga UEFA

26 Maj 2024, 11:44 Nga DOSJA
‘Final Four’/ Ulet 'perdja'... sot, Partizani - Egnatia,

TIRANE - Kampionati i 85-të Kombëtar i Superiores do të ulë siparin e sezonit 2023-2024 mbrëmjen e të dielës në “Air Albania”, aty ku Partizani dhe Egnatia do të përballen në finalen për titullin kampion. Ndeshja do të drejtohet nga gjyqtari i njohur anglez Antony Taylor, i ndihmuar nga dy ndihëms së tij në Premier League.

Një kampionat i zhvilluar për herë të parë me një formulë risi, ku katër skuadrat e renditura të parat u përballën në një mini-turne të emërtuar “Final 4”, nga i cili Partizani dhe Egnatia ia dolën të sigurojnë finalen, dhe duke nisur nga ora 19:00, do të duelojnë për titullin kampion.

Dy skuadrat do të zbresin në fushë jo vetëm për prestigjin që të jep triumfi në kampionat, por edhe për një lumë milionash, që janë shtuar ndjeshëm, qoftë nga shpërblimet e FSHF-së për fituesin, qoftë nga ato të UEFA-s.

Kështu FSHF ka vendosur për të shpërblyer tashmë klubet në bazë të renditjes, me vendin e parë (Egnatian) që mori plot 100 milionë, vendin e dytë (Partizanin) 70 milionë, të tretin (Vllazninë) 50 milionë dhe të katërtin (Skënderbeun) 20 milionë.

Këto ishin shpërblimet e FSHF-së, të miratuara për sezonin e rregullt, por nuk mbaron me kaq, pasi fituesja në finalen e të dielës, do të arkëtojë edhe 100 milionë të tjera si kampione e Shqipërisë.

Nëse titulli shkon në Rrogozhinë, atëherë Egnatia do të marrë në total 200 milionë lekë nga Federata Shqiptare e Futbollit, ndërsa nëse triumfon Partizani, atëherë të kuqtë do të arkëtojnë 170 milionë lekë në total.

Por nuk mbaron me kaq, pasi këtu nuk janë llogaritur shpërblimet që vijnë nga UEFA, e cila do të shpërblejë me plot 260 mijë euro për fituesen e titullit kampion të Shqipërisë, para të cilave do t’u shtohen edhe të tjera si shpërblime për pjesëmarrjen në eliminatoret e kompeticioneve europiane.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll